Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë dhe Asociacioni për E-tregti i Maqedonisë ua dhanë rekomandimet qytetarëve, të cilat duhet t’i ndjekin për t’u mbrojtur nga mashtrimet online.

Fillimisht, nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë sqarojnë se gjatë blerjes në Internet vëmendje të veçantë duhet kushtuar shitjeve në rrjete sociale (Facebook, Instagram etj) nga firmat e paregjistruara ose ato që nuk kanë seli të regjistruar, nuk ofrojnë mundësi për pagesë përmes transaksionit ose llogarisë në bankë dhe nuk lëshojnë llogari/faturë, fletëgaranci ose dokumentacion tjetër për produktin.

Në Maqedoni nuk janë rregulluar konkretisht shitjet e tilla ilegale në rrjetet sociale dhe për dallim nga shitjet legale online, nuk ekziston mekanizëm me të cilin do të ndalohen disa persona që të krijojnë profile në rrjetet sociale dhe të shesin produkte, të fshehur pas ndonjë profili ose emri të rrejshëm të ndonjë dyqani online, sqarojnë nga Organizata e konsumatorëve.

Prandaj, rekomandimi është që qytetarët të jenë ato që duhet të kenë kujdes gjatë blerjes në rrjetet sociale, sepse më tutje do të kenë vështirësi për t’i mbrojtur të drejtat e tyre si konsumatorë.

Për këtë arsye, nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë u rekomandon konsumatorëve që kur bëjnë blerje në rrjetet sociale, të konstatojnë dhe të hulumtojnë paraprakisht nëse dyqani është i regjistruar si firmë, nëse ka seli, nëse ka dyqan fizik apo nëse është i regjistruar si dyqan online. Rekomandohet gjithashtu të kontrollohet nëse shitësi ofron mundësinë e pagesës përmes transaksionit, përmes fletëpagesës në bankë dhe nëse për porosinë u dërgon vërtetim të vlefshëm përmes emailit, dhe gjatë dërgimit nëse u dërgon llogari fiskale, faturë ose dëftesë pagese.

Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë paralajmëron që të mos bien pre e reklamimit mashtruese tregtar të shitësve online në rrjetet sociale të llojit: zbritje njëditore, aksion të produkteve të cilat janë kopje të një marke aktuale, produkte falas dhe të ngjashme.

Gjithashtu, konsumatorët gjatë blerjes online të mos u japin tregtarëve shumë të dhëna personale dhe nëse janë të dyshimtë, t'i kontrollojnë gjithmonë llogaritë ose pasqyrat bankare pas kryerjes së pagesës.

Përndryshe, në Maqedoni ekzistojnë ligje për tregti elektronike dhe mbrojtje të konsumatorëve që e përcaktojnë shitjen online, së bashku me të drejtat dhe detyrimet e të dyja palëve, por këto ligje u referohen vetëm atyre tregtarëve që janë të regjistruar për kryerje të shitjes online. Së këndejmi, qytetarët duhet të bëjnë kontroll të mirë në pikën virtuale të shitjes prej ku duan të blejnë diçka.

Nga Asociacioni për E-tregti i Maqedonisë për konsumatorët kanë krijuar edhe rekomandime të tyre për qytetarët, që u ndihmojnë gjatë vendimmarrjes për blerjen online.

Në përbërje të platformës ecommerce4all.eu, e kanë përpiluar edhe raportin Mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut, ku qytetarët fillimisht mund të njihen me të drejtat e tyre si konsumatorë dhe mbrojtjen që ua ofron ligji. Kanë krijuar edhe Regjistër të e-tregtarëve të regjistruar, përmes të cilit do të mund të kontrollohet lehtësisht nëse kompania prej ku blihet është person i regjistruar juridik dhe nëse ofron pagesë elektronike (e-pagesë). Mbi 100 dyqane elektronike në vend kanë marrë Distinktiv për e-tregtar të verifikuar, përmes të cilit mbështetet kultivimi i politikave dhe praktikave të cilat janë në dobi të konsumatorëve.

Verifikimi i besueshmërisë, legjitimitetit dhe praktikës së mirë të punës të e-dyqanit, thonë nga Asociacioni për E-tregti i Maqedonisë është hapi i parë të cilin qytetarët duhet ta ndërmarrin.

Nga Asociacioni për E-tregti i Maqedonisë u rekomandojnë konsumatorëve ta kontrollojnë kompaninë nga e cila bëjnë blerje online përmes leximit të Politikës së tyre për kthim të produktit, Politikës së skedarëve, Politikës së privatësisë, Kushteve për përdorim të faqes së internetit, por edhe të kontrollojnë nëse faqja është e sigurt, përkatësisht nëse posedon protokoll https – këtë e tregon dryni majtas nga emri i faqes së internetit në searchbar-in.

Gjatë blerjes online, nga Asociacioni për E-tregti i Maqedonisë i këshillojnë qytetarët që të lexojnë komentet e vlerësimit të cilat i lënë blerësit e tjerë si klientë të kënaqur/të pakënaqur për dyqanin elektronik, por edhe të kontrollojnë nëse janë të disponueshme publikisht të dhënat për emrin ligjor të kompanisë dhe të dhënat e kontaktit për to.