Siç zbuluan edhe tre studiues në anketimin e tyre për nevoja të një studimi që lidhet me këtë çështje, “disa produkte, të dizajnuara në fakt për të përfituar zhvillimin kognitiv e pengojnë atë, ndërkohë që disa produkte të dizajnuara thjesht për qëllime argëtimi çojnë në përfitime afatgjata”. “Në të njëjtën mënyrë se si nuk ka një efekt të vetëm prej të ngrënit ushqim, nuk ka efekt të njëjtë edhe prej të parit TV apo prej lojës me video”, shkruajnë ata.

“Lloje të ndryshme mediash kanë përmbajtje, kërkesa për veprime dhe kërkesa për vëmendje të ndryshme dhe këto çojnë në efekte të ndryshme te sjellja. Për shembull, DVD-të për të vegjëlit në disa raste kanë ulur zhvillimin e të folurit tek bebet 8 deri në 16 muaj. Megjithatë, videolojërat me aksion, të cilat priten keq në çdo shtëpi si kohë-shpërdoruese, si vrima të zeza që shkatërrojnë mendjen, po provohet të kenë shumë benefite. (I dëgjoni adoleshentët duke brohorasur?).

Të menduarit

Bavalier dhe kolegët e tij kanë bërë këtë përmbledhje të hulumtimeve të ndryshme që flet për përfitime të matshme të video-lojërave me aksion: Studime që vijnë në rritje tregojnë se të luash video-lojëra me aksion është e lidhur me një numër përmirësimesh në vizion, vëmendje, njohje dhe kontroll motorik… Për shembull, përvoja e video-lojërave me aksion rrit aftësinë për të parë detaje të vogla në skena të rrëmujshme dhe për të perceptuar sinjale të zbehta, të tilla si ato që janë të pranishme kur vozitni në mjegull… Lojtarët e zjarrtë shfaqin kontroll të përmirësuar të vëmendjes nga lart-poshtë dhe zgjedhin më shpejt midis opsioneve të ndryshme… Ata gjithashtu shfaqin memorie më të mirë vizuale afatshkurtër… dhe mund të kalojnë me shumë fleksibilitet nga një detyrë në tjetrën.

Ndryshimet po ndodhin në trurin tonë për shkak të mediave, por ky nuk është një fenomen i tipit “një përmasë që i përshtatet të gjithëve”.
“Vëmendja dhe njohja janë baza nga të cilat varen të gjitha kapacitetet tona – aftësia jonë për të menduar, për t’u përqëndruar, për të zgjidhur problemet dhe për të qenë të pranishëm me njëri-tjetrin,” thekson Qendra për Teknologji Humane me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. “Ndërprerjet e vazhdueshme të teknologjisë dhe shpërqendrimet qartësisht të synuara, të cilat janë krijuar për të na mbajtur më të angazhuar me produktet e teknologjisë, po shtojnë një taksë të madhe në këto funksione kritike”.

Të lexuarit

Mënyra se si ne lexojmë online është kthyer në një fushë intensive studimi. Në ekran ne lexojmë atë që bie në sy, jo detajet. Për të na ndihmuar që të zgjedhim në morinë e sasisë së materialeve që gjejmë online, ne kemi adoptuar teknikën e hiper-leximit për të vendosur shpejt nëse do t’i kushtojmë më shumë kohë diçkaje. Profesori i komunikimit James Sosnoski (1999) është ai që përdori i pari nocionin e hiper-leximit, duke e përshkruar atë si “i drejtuar prej lexuesit, i bazuar në ekran dhe si një lexim i asistuar nga kompjuteri” . Ai përfshin leximin selektiv, përmbledhjen e përmbajtjes, dhe akoma më tej – “qëmtimin”, i cili është lexim i rastësishëm, jashtë sekuencës, që i heq lexuesit çdo kohezion në një tekst. Po ju a e gjeni veten duke lexuar në këtë mënyrë në internet?