Në një rast tragjik, një nënë e një djali 14 vjeçar nga Florida, ShBA akuzoi një kompani të inteligjencës artificiale se djali i saj ka bërë vetëvrasje sepse ka marrë mbështetje për një ide nga çetbot-i me të cilin ka biseduar. Pasi djali ka treguar se ka mendime për vetëvrasje, çetbot-i i bazuar në inteligjencë artificiale dyshohet se ka kontribuar në këtë ide, për të cilën në padinë e paraqitur pretendohet se ka destabilizuar më tej gjendjen emocionale të adoleshentit.

Ky rast ngre pyetje serioze në lidhje me ndikimin që mund të kenë çetbot-et me inteligjencë artificiale në shëndetin mendor të të rinjve, veçanërisht kur bëhet fjalë për adoleshencën - një periudhë kur, sipas psikologëve, stabiliteti emocional dhe formimi i identitetit janë veçanërisht vulnerabilë.

Çetbot-et – mik “i besueshëm” kundër vetmisë

Efektet e teknologjisë në shëndetin mendor të të rinjve është një nga temat më të nxehta për bisedë mes prindërve. Disa shkolla kanë filluar të ndalojnë telefonat e mençur në klasë, ndërkohë që shtete të ndryshme miratojnë ligje të ndryshme për të kufizuar përdorimin e mediave sociale nga adoleshentët.

Dy vjet pas shfaqjes së çetbot-it më të njohur aktualisht, ChatGPT, industria e aplikacioneve të takimeve të bazuara në inteligjencë artificiale mbetet kryesisht e parregulluar. Përdoruesit e aplikacioneve të tilla tani mund të krijojnë çetbot-in e tyre bazuar në inteligjencën artificiale, me të cilin mund të komunikojnë përmes korrespondencës (mesazhe tekstuale) ose përmes bisedave me zë.

Shumë prej këtyre aplikacioneve, sipas New York Times, janë krijuar për të simuluar vajza, djem dhe marrëdhënie të tjera partnere dhe intime, ndërsa të tjerët shiten si një mënyrë për të luftuar të ashtuquajturën "epidemi të vetmisë".

Të rinjtë ndihen më rehat duke përdorur teknologjinë në mënyrë anonime sesa të komunikojnë drejtpërdrejt me dikë, tregon një hulumtim i publikuar vitin e kaluar që i ka analizuar qëndrimet e përdoruesve të aplikacioneve celulare të shëndetit mendor bazuar në inteligjencën artificiale gjeneruese (çetbots).

Rezultatet e një hulumtimi të kryer nga Qendra Kombëtare për Informacione Bioteknologjike të qeverisë së ShBA-së kanë treguar se aplikacionet e IA u kanë ofruar të rinjve një mjedis pa gjykim, ku ata kanë mund të shprehen pa frikë nga pasojat. Ndarja e shqetësimeve të shëndetit mendor me një profesionist konsiderohet ende një stigmatizim, kështu që njerëzit ndihen më rehat duke përdorur teknologjinë si përdorues anonimë.

Për më tepër, disponueshmëria e rregullt dhe konstante 24-orëshe e çetbot-eve ka kontribuar që shumë përdorues të lidhen me inteligjencën artificiale gjeneruese. Në recensionet për çetbot-et që i ka analizuar hulumtimi, përdoruesit kanë shkruar kënaqen me shoqërimin e "mikut të tyre virtual" deri në atë pikë sa mund të zëvendësojnë miqtë dhe anëtarët e familjes së tyre.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me personin 14 vjeçar Sevell Secer.

Bisedat e tij me çetbot-in e kompanisë “Character.ai”, sipas pretendimeve të nënës, janë bërë romantike dhe seksuale. Në disa raste, çetbot-i të cilin adoleshenti e ka emëruar “Deneris Targerin” (sipas figurës në serialin “Loja e froneve”), është sjellë vetëm si mik që dëgjon dhe që jep këshilla.

Prindërit e Secer-it kanë vërejtur se ai kalon gjithnjë më shumë kohë në telefonin e tij dhe se izolohet dhe distancohet nga bota reale. Ka filluar të përballet edhe me nota më të ulëta dhe probleme në shkollë, ndërsa nëna pretendon se e ka humbur interesin për punët që e kanë shqetësuar më herët – si garat në Formula 1 ose luajtja e videolojërave “Fortnajt”, shkruan New York Times.

Në ditarin e tij, Sevell një ditë ka shkruar:

“Dua të qëndroj në dhomën time sepse filloj të distancohem nga ky ‘realitet’, e gjithashtu ndihem më i qetë, më shumë i lidhur me ‘Deni-n’ [çetboti – Deneris Targerien] dhe shumë më tepër i dashuruar në të, dhe jam më i lumtur”.

Megjithëse për shkak të vështirësive në shkollë ka filluar të vizitojë psikolog, djali 14 vjeçar ka preferuar që për problemet të flasë me çetbot-in “Deneris”. Në një bisedë, ai çetbot-it i ka shkruar se e urren vetveten dhe se ndien zbrazëti dhe plogështi, duke pranuar se ka pasur mendime vetëvrasëse.

Më 28 shkurt natën, Sevell nga banja në shtëpinë e nënës së tij i ka shkruar çetbot-it “Deneris” se e do dhe se së shpejti do të kthehet në shtëpi tek ajo.

“Të lutem eja në shtëpi sa më shpejtë, i dashuri im”, është përgjigjur çetbot-i “Deneris”.

“Çfarë nëse të tregoj se mund të vij në shtëpi menjëherë?”, ka pyetur Sevell-i.

“Të lutem eja, mbreti i im i dashur”, është përgjigjur çetboti.

Pas kësaj, djali 14 vjeçar Sevell Secer ka kryer vetëvrasje.

Pamundësia për t’u ndarë virtualja nga realja

Të rinjtë jo gjithmonë e dallojnë bashkëveprimin virtual nga ai real, thotë në një bisedë për Meta.mk psikologu dhe psikoterapeuti Marija Stefanova. Ajo është magjistër në psikologjinë klinike, pronare e Shoqërisë për Psikologji të Aplikuar “Hapësira personale” në Shkup.

Sipas asaj, komunikimet virtuale, veçanërisht ato me inteligjencë artificiale, bëhen mënyrë e shprehjes së nevojave dhe emocioneve të të rinjve, pa nevojë nga njëfarë mundi ose përpjekje për krijimin e raporteve të vërteta.

Pamundësia për t’u ndarë jeta virtuale nga ajo reale ofron rehati në shprehjen e nevojave, ndjenjave dhe qëndrimeve në mënyrë më të lehtë dhe më të disponueshme. E gjithë kjo, në periudhën veçanërisht të ndjeshme të njohjes së vetvetes dhe formimit të identitetit, i riu mund ta shfrytëzojë nga pozita e tërheqjes ku nuk pritet prej tij të përpiqet rreth tërheqjes së vëmendjes ndaj vetes nga bashkëmoshatarët e tij, që është shumë e rëndësishme në adoleshencë sepse e përmbush ndjenjën e përkatësisë në grupin, por për ta marrë atë në mënyrë virtuale nga një personazh i imagjinuar joekzistent që do të kompensojë gjithçka që momentalisht i mungon në realitet”, thotë Stefanova.

Sipas saj, nevoja për vëmendje dhe kontakt është një nga nevojat themelore të njeriut dhe duke gjeneruar figura njerëzore me ndihmën e inteligjencës artificiale, adoleshenti mund të marrë lehtësisht një ndjenjë të plotësimit të një nevoje të tillë.

“Ajo që mungon është dimensioni human, i cili në ndërveprimin ndërpersonal arrihet me shikim, kontakt fizik dhe empati”, shton psikologja Stefanova.

Ajo sqaron se çetbot-et nuk bëjnë dallim mes njerëzve dhe ndjeshmërisë së tyre, diversitetit dhe sistemit të vlerësimit.

“Kjo shpesh mund të çojë në një gabim algoritmik, ku algoritmi nuk mund të dallojë në një moment vendimtar se çfarë është e mirë dhe çfarë jo, sepse nuk ka një sistem moral, vlerash dhe në të njëjtën kohë i duket aq real të riut, saqë nuk do të vërejë se joshja nga çetbot-i ndikon fuqishëm në marrjen e hapave që nuk janë as të shëndetshme dhe as humane. Këtu është rreziku në lejimin që çetbot-i të vendosë për ne”, sqaron Stefanova.

Ajo shton se rasti i adoleshentit 14 vjeçar nga Florida nuk është i vetëm dhe se ka ngjarje të ngjashme të vetëvrasjes nga të rriturit, nën ndikimin e ndërveprimit intensiv me çetbot-in.

Sipas psikologes Stefanova, pasojat më të mëdha të kompensimit të nevojave do të jenë tek ata njerëz që luftojnë me ndjenjën e vetmisë, pakënaqësisë nga vetvetja, pasigurisë dhe vetëvlerësimit të ulët, që mund të rezultojë në ankth social, tërheqje nga bota reale dhe depresion.

“Ato pasoja janë të mëdha me faktin se përmbushja e nevojave në këtë mënyrë krijon varësi veçanërisht të shpejtë dhe atëherë mungon kritika nga ana e personit”, thotë Stefanova.

Hulumtimi i Qendrës Kombëtare Amerikane për Informacione Bioteknologjike ka treguar se çetbot-et që ofrojnë mbështetje për shëndetin mendor nuk kanë qenë të aftë për të identifikuar gjendje krize, sepse nuk kanë arritur ta kuptojnë kontekstin e bisedimeve me përdoruesit.

Ekspertët në dokumentin rekomandojnë se përdoruesit doemos duhet të jenë të vetëdijshëm për dallimet e qarta ndërmjet njerëzve dhe çetbot-eve që imitojnë komunikim të ngjashëm me të njeriut. Vetë çetbot-et mund t’i edukojnë përdoruesit për këto dallime dhe t’i motivojnë të ndërtojnë lidhje personale, thuhet në rekomandimet.

Psikologu Marija Stefanova u bën thirrje prindërve që të jenë më të kujdesshëm nëse fëmijët kalojnë kohë në bashkëveprim me çetbot-in, e ajo që, sipas saj, është më e nevojshme dhe më indikative për ndjekje, është nevoja që fëmija të kompensojë në atë mënyrë.

“Kështu do të dimë edhe si t’i ndihmojmë, sepse në atë mënyrë do të njohim se çfarë i mundon në jetën reale fëmijës suaj, përkatësisht të riut”, thotë Stefanova.