Një studim i Qendrës amerikane Kundër Urrejtjes Digjitale, i publikuar në fund të vitit 2022, ka gjetur se TikTok-u shtyn përpara përmbajtje të dëmshme, që promovojnë çrregullime në të ngrënë dhe vetëlëndime.
Sipas këtij studimi, mund të duhen më pak se tre minuta pasi të futeni në TikTok, për të parë përmbajtje në lidhje me vetëvrasjen dhe rreth pesë minuta të tjera për të gjetur një komunitet që promovon përmbajtje me çrregullime në të ngrënë.
Në një deklaratë për CNN-in në dhjetor të vitit 2022, një zëdhënës i TikTok-ut ka thënë se kompania është në “konsultime të rregullta me ekspertë shëndetësorë” dhe largon çdo përmbajtje që shkel politikat e saj të sigurisë.
Muajin e kaluar, kompania Meta – që zotëron Facebook-un, Instagram-in, Threads-in dhe WhatsApp-in – ka njoftuar se ka bashkuar forcat me platformat Snapchat dhe TikTok, për të parandaluar përhapjen e përmbajtjeve që promovojnë vetëvrasje ose vetëlëndime.
Qasja ndaj problemit
Psikologu Aliriza Arënliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se vetëm punësimi i psikologëve dhe pedagogëve nuk e zgjidh problemin e nxënësve që mund të jenë viktima të sfidave të rrezikshme nga rrjetet sociale.
“Njerëzit që punojnë në terren, kanë nevojë për programe, kanë nevojë për intervenime sistematike, kanë nevojë për trajnime. Kjo është ajo pjesa ku ne ngecim”, thotë Arënliu për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, është e domosdoshme që në shkolla të trajtohen edhe sfidat e shëndetit mendor, ndërsa kurikulat arsimore të përshtaten me nevojat e fëmijëve për edukim medial.
Profesroi Alban Zeneli, thotë se lënda Edukimi për Median duhet të bëhet e obligueshme në shkolla.
Sipas tij, udhëzuesit e MASHTI-t lidhur me përdorimin e internetit kanë më shumë të bëjnë me aspektin teknik të përdorimit të tij, sesa me të kuptuarit e rreziqeve që burojnë nga platformat e ndryshme.
“Këto gjëra mësohen në mënyrë specifike te Edukimi për Media… Do të ndihmonte që fëmijët që kalojnë nëpër proces të mësimit, të jenë të vetëdijshëm për përmbajtjet që shohin, të zhvillojnë mendim kritik për përmbajtjen dhe në të njëjtën kohë të mos bien pre e këtyre sfidave ose problemeve që i lëndojnë ata, jo vetëm në kuptimin fizik”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.
Kontroll i shtuar ose largim i TikTok-ut
Për sociologun Jeton Brajshori, situatën duhet ta marrin në duar vetë prindërit – së paku derisa institucionet kompetente të gjejnë mekanizma efektivë për parandalimin e ndikimit të përmbajtjeve të dëmshme nga rrjetet sociale.
Sipas tij, kontrolli i shtuar i prindërve ndaj qasjes së fëmijëve në rrjete sociale dhe në internet në përgjithësi, nuk e dëmton të drejtën e tyre për privatësi.
“Unë u them të gjithë prindërve që fëmija nën moshën 18-vjeçare nuk ka nevojë të ketë privatësi strikte. Nuk po themi që ata të kontrollohen për çdo gjë, por të kemi shumë kujdes, çfarë shikojnë në TikTok, me kë shoqërohen…”, thotë Brajshori.
Ai, madje, sugjeron që TikTok-u të largohet tërësisht nga telefonat e fëmijëve.
Ai thotë se përmbajtjet e publikuara në TikTok janë më pak të kontrollueshme, në krahasim me rrjetet tjera sociale, të cilat kanë përdorim global.
Qasja e fëmijëve në këtë platformë e shton rrezikun që ata të ndikohen nga përmbajtjet e dëmshme, sipas tij.
Shumica e telefonave të mençur e kanë modulin e quajtur “kontrolli prindëror”, që u mundëson prindërve t’ua kufizojnë fëmijëve kohën në aplikacione të ndryshme në internet.
Por, përdorimi i këtij moduli është problematik për prindërit që nuk kanë njohuri mbi teknologjinë.
TikTok-u ka mbi 1.5 miliard përdorues aktivë mujorë në të gjithë botën.
Llogaritet se rreth 25 për qind e tyre janë 10 deri në 19 vjeç.