Si njerëz, ne mbështetemi më shumë në informacionet që i kemi drejtpërdrejt në dispozicion, pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për atë që nuk e dimë. Nëse shikojmë disa elemente të historisë, nga ato elemente parciale e ndërtojmë historinë më të mirë që mundemi. Një pjesë e qasjes së verifikimit të fakteve është vetëdija për paragjykimet njohëse të lindura në secilin prej nesh. Megjithëse këto paragjykime na ndihmojnë të lëvizim në jetën tonë të përditshme, ato mund të na bëjnë t’i anashkalojmë faktet përkatëse, madje kur ato janë “para syve tona”.
Prandaj, roli i gazetarit është të japë informacione, dëshmi, por edhe disponueshmërinë e informacioneve nga burime të ndryshme, dhe më pas i “thur” tregimet në atë mënyrë që ato të marrin një kuptim gjithëpërfshirës.
Efekti i rrjetit të mediave sociale i zgjeroi burimet e informacioneve, e me këtë edhe ndërtimin e narrativeve tona. Mediat sociale gjithashtu e hoqën edhe filtrin parësor të gazetarëve si “lajmëtarë të së vërtetës”. Disa politikanë dhe krijues të opinionit publik e shfrytëzuan këtë mundësi për ta ushtruar dhe testuar pushtetin e tyre.
Së këndejmi, rrjetet sociale, përveç që kanë përfitimet e tyre, ato paraqesin një mjet të ri dhe të fuqishëm për përhapjen e manipulimeve. Atëherë është e mundur që të ndodhë diçka e quajtur "sjellja e tufës", përkatësisht, shumica e njerëzve të fillojnë ta ndjekin sjelljen e të tjerëve nën supozimin se "këta shumë njerëz nuk mund të gabojnë". Kjo mund të bëjë që të sillemi kolektivisht në mënyrë konformiste deri në atë shkallë sa ta sanksionojmë dhe refuzojmë plotësisht oponentin.
Si bëhet verifikimi i fakteve?
Ekziston një sërë mediash me renome që ofrojnë rregullisht raporte për verifikimin e fakteve. Ato mund të përdoren për të monitoruar ose verifikuar përmbajtjen e shumë lajmeve, si dhe saktësinë e deklaratave të politikanëve. Disa hulumtues sugjerojnë se vetëm njohuria se ekzistojnë mjete të tilla i kufizon politikanët që të japin pretendime të rreme dhe u bën presion që të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre. Shumica e agjencive të lajmeve për verifikimin e fakteve kontaktojnë me politikanët për t'i sqaruar ose korrigjuar deklaratat e tyre të pasakta, megjithëse shpesh ndodh që politikanët ta refuzojnë ta bëjnë këtë.
Disa media për verifikimin e fakteve japin vlerësime “të vërteta ose të rreme” për deklaratat e politikanëve. Verifikuesit e fakteve të Uashington post, tregojnë nëse deklarata e dhënë nga politikani është e vërtetë duke ndarë simbole të caktuara. Një vizatim i Pinokut do të thotë "kryesisht i vërtetë", dy do të thonë "gjysmë i vërtetë", tre do të thonë "kryesisht i rremë" dhe katër do të thonë "absolutisht i rremë".
Faqet e tjera për verifikimin e fakteve janë të pavarura nga mediat tradicionale dhe u dedikohen veçanërisht shërbimeve profesionale për verifikimin e fakteve. Politifakt, për shembull, i vlerëson deklaratat si “Të vërteta”, “Kryesisht të vërteta”, “Pjesërisht të vërteta”, “Kryesisht të rreme” dhe “Të rreme”.
Faqet e tjera për kontroll të fakteve fokusohen në ofrimin e informacioneve dhe kontekstit shtesë për deklaratat e politikanëve për t’u ndihmuar lexuesve të vlerësojnë vetë për vlefshmërinë e atyre deklaratave. FactCheck.org nuk i vlerëson deklaratat e politikanëve si të vërteta apo të rreme, por ofron prova të detajuara "pro" ose "kundër" deklaratave dhe ju lejon të vendosni nëse ato janë të vërteta ose të rreme. Ju gjithashtu mund të parashtroni pyetje drejtpërdrejt në faqen për tema të ndryshme, përfshirë ato politike, gjykimet dhe fjalët e pathemelta që lidhen me çështje të tjera sociale. FactCheck.org më pas i publikon përgjigjet e pyetjeve të lexuesve nëse ato janë të verifikueshme dhe të bazuara në fakte.
Kur duhet t’i verifikojmë faktet?
Nuk mund të pritet që të gjithë ta verifikojnë atë që e lexojnë. Por në një kohë kur shpërndahen gjerësisht dezinformatat, narrativet e dëmshme dhe manipulimet, janë të fuqishme rekomandimet për t’u verifikuar faktet përpara se të shpërndajmë, “pëlqejmë” apo komentojmë në ndonjë lajm në rrjetet sociale.
Është e rëndësishme të fitojmë shprehi për verifikimin e fakteve, duke pasur parasysh paragjykimet njohëse që na bëjnë të pranueshëm për lajme të rreme. Kur njerëzit artikulojnë një opinion bazuar në diçka që ata pretendojnë se është e vërtetë ose fakt, do të ishte një ide e mirë të verifikoni se sa është kjo vërtetë. Duhet të dyshojmë në besueshmërinë e fakteve madje edhe kur njerëzit që i njohim janë të afërmit tanë dhe na i kanë dhënë me qëllim dhe vullnet të mirë. Duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e burimeve, raporteve, faqeve dhe sistemeve që i kemi në dispozicion për t’i verifikuar informacionet, është gjithashtu e rëndësishme të shpenzohet kohë e mjaftueshme për matje të një burimi të informacioneve me një tjetër dhe për të fituar njohuri që mund të ndihmojnë në të ardhmen për të parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme. Gjithashtu, ky proces do të bëhet më i lehtë gjithnjë e më shumë, që në fund të na shndërrohet në shprehi, të cilin lirisht mund ta quajmë kujdesi dhe higjiena e mendjes.