Jetojmë në një realitet ku dallimi i dezinformatave nga informacioni i saktë është bërë shumë i vështirë. Është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen shoqëritë në mbarë botën. Revista shkencore “Media dhe Komunikimi”, së fundi ka publikuar rezultatet nga një studim rreth infodemisë në Kosovë gjatë COVID-19. Në artikullin e titulluar “Infodemia dhe kriza e dallimit të dezinformatave nga informatat e sakta: Një rast studimi mbi përdorimin e Facebookut në Kosovë gjatë COVID-19”, autorët Gëzim Qerimi dhe Dren Gërguri pohojnë se “qytetarët nuk arritën të dallonin lajmin e pavërtetë nga ai i vërtetë. Rezultatet theksojnë gjithashtu se arsimimi dhe situata ekonomike ishin tregues domethënës, me njerëz më pak të arsimuar dhe me mirëqenie më të dobët ekonomike kanë më shumë gjasa të besojnë informacione të rreme.“
Në mjedisin e sotëm të informacionit, është jetike që qytetarët të jenë në gjendje të dallojnë informacionin e rremë dhe të mund të reagojnë ndaj dezinformatave në mënyrë të përshtatshme. Reagimet e shëndetshme mund të përfshijnë: injorimin e keqinformimit ose dezinformimit, paralajmërimin e njerëzve përreth tyre për të, kërkimi për burime të tjera informacioni, si dhe raportimin e incidentit të keqinformimit ose dezinformimit në platformën ku është shpërndarë. Studimi i lartpërmendur arrin në përfundimin se “aftësia për të dalluar informacionin që është i vërtetë dhe i pavërtetë mund t'i ndihmojë njerëzit të besojnë më shumë në informacionin që është real. Për shkak se individët mund të ngatërrojnë keqinformimin dhe dezinformimin për informacion të saktë, aftësia për të bërë dallimin midis të dyjave mund të ndihmojë në rritjen e besimit të publikut në vërtetësinë e informacionit.”
Media online - burimi i dytë më i rëndësishëm i informacionit pas TV - burimi më i besueshëm në kohë krize
Në Kosovë, ekziston një hendek i rëndësishëm ndërmjet përdorimit të mediave si burim informacioni dhe nivelit të besimit që njerëzit kanë në lajmet që marrin nga ato burime mediale. Burimi më i besueshëm i informacionit është televizioni. Studimi zbuloi se në Kosovë, “rreth 30% e qytetarëve besojnë se besimi në media është ulur si rezultat i mënyrës së raportimit të gazetarëve, si dhe informacioneve të dyshimta apo të pavërteta që kanë qarkulluar gjatë periudhës së pandemisë. Megjithatë, shumica prej tyre (59,9%) mendojnë se besueshmëria nuk ka ndryshuar gjatë krizës shëndetësore”.
Studimi tregon se mediat online, të cilat janë burimi i dytë më i rëndësishëm i informacionit në Kosovë, nuk kanë besueshmëri më shumë se 8%. Një sondazh i Opinionit Publik, i kryer nga organizata, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në periudhën 13-20 maj 2020 me 1300 të anketuar në mbarë Kosovën tregon se 81% e banorëve të Kosovës mendojnë se mediat online publikojnë shpesh ose në mënyrë sporadike informacione të pasakta, gjë që është një nga arsyet pse njerëzit nuk u besojnë atyre.
Qytetarët në Kosovë nuk dinin se çfarë të besojnë e çfarë të mos besojnë
Në studim, respondetëve u është kërkuar të lexojnë katër tituj lajmesh dhe vetëm një - në lidhje me larjen e duarve si një teknikë për të parandaluar COVID-19 - u konsiderua i besueshëm. Deri në 74.5% e të anketuarve besonin se kjo ishte e vërtetë, ndërsa vetëm 9.5% mendonin se ishte e pasaktë. Ndërkohë, informacionet e tjera, pavarësisht se janë të vërteta, nuk u besuan pothuajse nga gjysma e të anketuarve. Për shembull, lajmi se COVID-19 mund të fshihej në lotët e njeriut ishte lajm i vërtetë, por ishte më pak i besuar me 49.5% të të anketuarve që mendonin se ishte i rremë. Nga ana tjetër, pavarësisht se ishte i pavërtetë, informacioni që të anketuarit besonin më së shumti ishte një mesazh që përdorte emrin e një eksperti vendas, Dr. Lul Raka dhe ndër të tjera shkruhej se do të ndodhë një fatkeqësi e madhe si pasojë e COVID- 19. Vetë Raka ka treguar se nuk ishte ai dërguesi i mesazhit. Megjithatë, njerëzit besuan se mesazhi ishte nga ai dhe prandaj e besuan atë. Ky ishte një dezinformim viral që është shpërndarë shumë në Facebook, Viber, Instagram dhe WhatsApp.,
Regjistrimi i faqeve dhe profileve në Facebook që shpërndanë këtë dezinformatë gjatë prillit 2020
Figura më poshtë tregon përgjigjet e gabuara të të anketuarve në anketë, kur të anketuarit ose i besuan dezinformatave ose nuk i besuan lajmeve të vërteta.
Këto rezultate tregojnë se nevojiten iniciativa institucionale për të ndihmuar njerëzit të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin ndaj të cilit ekspozohen. Ky problem ka të bëjë me të gjitha vendet evropiane dhe është adresuar edhe nga një tjetër studim në Rumani . Siç Qerimi dhe Gërguri theksojnë në studimin e tyre, “është shumë e rëndësishme të rriten aftësitë e edukimit medial tek qytetarët, për të luftuar dezinformimin dhe keqinformimin.”
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë duhet të veprojë dhe t’ia japë vëmendjen e nevojshme edukimit medial. Një artikull i botuar më herët në HiveMind shpjegon situatën aktuale dhe veprimet e nevojshme që duhen ndërmarrë.
Në mjedisin e sotëm të informacionit, së pari duhet t'i bëjmë vetes tre pyetje themelore (modeli i tre pyetjeve bazike i paraqitur në vitin 2020 ) përpara se të fillojmë të besojmë informacionin ndaj të cilit jemi të ekspozuar.:
Kush është autori i materialit dhe a është i besueshëm? Është thelbësore të dimë se kush janë ata, në çfarë janë të specializuar, pse janë të kualifikuar për të dhënë këtë informacion, si dhe besueshmëria dhe ndershmëria i tyre
A e keni kontrolluar storjen në burime të shumta? Kjo thekson vlerën e leximit të të njëjtit informacion nëpër platforma dhe kanale të ndryshme. Një praktikë e tillë ofron një perspektivë më të gjerë mbi informacionin dhe një kontekst më gjithëpërfshirës, i cili do të ndihmojë në krijimin e një imazhi më të qartë të së vërtetës.
A është informacioni i bazuar në dëshmi dhe i mbështetur nga burime të besueshme dhe zyrtare? A ofron imazhe, video ose fakte të tjera të verifikuara në mënyrë të pavarur?
Duke u mbështetur në këtë model me tre pyetje, do të jemi në gjendje të mësojmë se si t’i qasemi informacionit në media në mënyrë më të sigurt dhe si të përcaktojmë nëse materiali që po lexojmë është i vërtetë apo i rremë. Mund të fillojmë të zhvillojmë “imunitetin” ndaj dezinformatave dhe të ndjehemi më të sigurt për sa i përket saktësisë së informacionit në të cilin mbështetemi.