Edukimi medial mbetet çështje që kërkon të zgjidhet. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duhet të veprojë për t’i dhënë vëmendjen e nevojshme çështjes së edukimit medial. Në vitet e fundit janë ndërmarrë iniciativa të ndryshme që kishin për qëllim shtrirjen e edukimit medial në pjesë të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht në arsimimin parauniversitar me trajnime të mësimdhënësve. Diskutimet e tjera publike, të organizuara nga organizata të ndryshme, kanë mbajtur temën aktive përkohësisht por pa ndonjë efekt të drejtpërdrejt në adresë të Ministrisë. Megjithatë, vazhdon të jetë e domosdoshme të bëhet një plan veprimi nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për t’i dhënë kahjen e duhur përfshirjes së edukimit medial në planprogramet mësimore, si lëndë obligative.
Situata aktuale e lëndës së edukimit medial
Aktualisht, lënda e edukimit medial është lëndë zgjedhore në disa shkolla të Kosovës, por mbajtja e lëndës sfidohet seriozisht nga tre faktorë: mungesa e përgatitjes së mësimdhënësve nga fusha e medies apo komunikimit, mungesa e një kurrikule në nivel kombëtar, sepse planprogramet e mësimdhënësve janë të ndryshme nëpër komuna dhe statusi i lëndës zgjedhore, e zbehë shumë rëndësinë që lënda ka në sytë e nxënësve, të cilët as nuk notohen në lëndë të tilla zgjedhore, prandaj ata edhe mund të krijojnë përceptim të gabuar për vetë rëndësinë e lëndës së edukimit medial, për më tepër, nxënësit, shpesh, shumëçka e ndërlidhin me notim. Prandaj, në situatën momentale, edukimi medial si lëndë mësimore nuk plotëson nevojat e shoqërisë dhe nuk përmbush boshllëkun që në shoqërinë tonë po shtohet çdo ditë, si pasojë e mungesës së gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale.
Tri veprimet e domosdoshme të Ministrisë së Arsimit
Në gjithë këtë, Ministria e Arsimit duhet të ndërhyjë në tri aspekte. Fillimisht duhet të marrë vendim që të diplomuarve në fushën e medies, komunikimit apo të gazetarisë, t’iu lejohet që të angazhohen në pozitën e mësimdhënësit të edukimit medial. Ky vendim duhet të shoqërohet me kushtin që këta mësimdhënës të ardhshëm t’i nënshtrohen një programi të veçantë pedagogjik, çka do të plotësonte përgatitjen e tyre për këtë detyrë dhe do t’i përplotësonte ata profesionalisht, sepse do të kombinohej njohuria në media, komunikim e gazetari me aftësitë pedagogjike, të pazëvendsueshme e shumë të rendësishme në arsimim. E gjithë kjo e plotëson një kusht të domosdoshëm, që do t’i hapte rrugë vendimit të dytë të Ministrisë, që lënda e edukimit medial të përfshihet si lëndë obligative në planprogramet mësimore. Mëpastaj duhet të punohet në krijimin e një kurrikule kombëtare, që do të zbatohej nga mësimdhënësit e angazhuar enkas për këtë lëndë.
Këta tre hapa, nëse merren para pushimeve verore, do të krijojnë hapësirën e re për edukimin medial në vitin e ardhshëm shkollor, çka do të shënonte një përparim të rëndësishëm për shoqërinë tonë. Përfshirja e edukimit medial si lëndë obligative në shkollat tona mundëson aftësimin e të rinjve në përdorim të medieve, qasje të medieve dhe gjykim kritik ndaj medieve. Ky artikull është fokusuar në trajtimin e edukimit medial te fëmijët dhe të rinjtë në arsimimin formal, por gjithsesi se duhet shqyrtuar zgjidhjet për shtrirjen e edukimit medial edhe në pjesën tjetër të shoqërisë, që tashmë nuk është pjesë e arsimimit formal.
Ilustrim i sfondit: Photo by Robert Kneschke from Alamy Stock Photo / Alamy Stock Photo license
Autor: Dr Dren Gërguri – Ligjërues në Departmentin e Gazetarisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”