Por, kjo mund të ndodhë sot ose ju tashmë jeni aty, në mesin e turmës, dhe mendoni sesi të veproni. Ja 4 gjëra për të cilat duhet të mendoni.
1. Ekstremistët duan të shkruani për ta
Para se të publikoni ndonjë gjë, dijeni që grupet ekstremiste duan që ju të publikoni lajme. Pra, para se ta bëni këtë, mendoni se çfarë ata do të kishin dashur që të publikoni. Danah Boyd e jep mendimin e saj për taktikën e manipulimit të mediave: “Manipuluesit në media kanë zhvilluar një strategji me tre pjesë, e cila mbështetet në strukturën aktuale të ekosistemit të mediave.”
1. Krijimi i spektaklit duke i përdorur mediat sociale për të fituar mbulim nga mediat.
2. Prezantimi i spektaklit përmes shprehjeve që i çojnë audiencat e reja t’i gjejnë shprehjet tuaj përmes kërkuesve të internetit.
3. Duke u bërë “dëshmor digjital” për të ndihmuar në radikalizimin e të tjerëve.
Kështu që para se të publikoni diçka, mendoni se a ia vlen të raportoni për këtë (shihni këshillat e Whitney Phillips për redaksitë si udhëzim).
2. Raportimi për dhunën mund të jetë ngjitës, prandaj fokusohuni plotësisht te faktet
Whitney Phillips shkruan se: “raportuesit dhe redaktorët duhet t’i trajtojnë antagonizmat e dhunshëm si ngjitëse për nga natyra, kurse gjatë raportimit duhet t’i marrin parasysh praktikat më të mira për raportimin e vetëvrasjeve, vrasjeve masive dhe terrorizmit, të cilat dihet se shkaktojnë kopjim të përmbajtjes kur raportohet mbi to”. Ja disa nga këshillat e saj që i kam përshtatur për qëllimet e këtij artikulli:
· storja duhet të e dedikuar posaçërisht për komunitetet e ndikuara
· specifikoni numrin e pjesëmarrësve, mos përdorni shprehje të paqarta për numrin e pjesëmarrësve
· shmanguni kërkimit/publikimit vetëm të deklaratave më të këqija që i shpërblejnë dhe i forcojnë njerëzit me pikëpamjet më ekstremiste
· Përqendroni vëmendjen te ndikimi i ngjarjes, e jo te organizatorët
· Minimizoni gjuhën dhe titujt senzacionalistë
· Zvogëloni prezantimin e ekstremistëve si anti-heronj
· Mos ofroni më shumë informata për një ngjarje ose për një sulmues konkret sesa që duhet, veçanërisht nëse informatat e tilla shërbejnë si plan për sulme të ardhshme
3. Kini parasysh se si media juaj mund të përdoret për të bërë dëm
Nëse publikoni foto, video ose audio-incizime, mund të prisni që grupet ekstremiste do të duan t’i shpërndani materialet e tilla, të cilat më vonë mund t’i shkarkojnë dhe t’i përdorin në fushatat e tyre. Ja çfarë sugjerohet:
· Të jeni shumë të kujdesshëm gjatë krijimit dhe publikimit të fotografive, veçanërisht kur fotografitë e tilla e nënçmojnë dinjitetin njerëzor dhe përmbajnë paragjykime të forta
· Të jeni shumë të kujdesshëm gjatë ripublikimit të “memeve” dhe sloganeve që janë përdorur gjatë sulmeve specifike, sidomos kur ato e nënçmojnë dinjitetin njerëzor dhe përmbajnë paragjykime të forta
· Vendosni tekst dhe/ose informacione të tjera mbi kontekstin në vetë fotografinë në mënyrë që të mos mund të vidhet lehtë dhe të shpërndahet nga manipuluesit
· (Sugjerimi im) para se të postoni fotografi të kalimtarëve të rastit ose të kundër-protestuesve me informacione mbi identitetin e tyre, merrni parasysh rreziqet për ata njerëz
4. Vendoseni ngjarjen në kontekst dhe konsultoni ekspertët
Nëse jeni duke bërë lajm për një ngjarje ekstremiste, së pari informohuni për kontekstin dhe çështjet që lidhen me atë ngjarje. Ja çfarë sugjerohet:
· Jini veçanërisht të përpiktë në lidhje me të kaluarën e dhunës së bazuar në identitet, dhe të kaluarën e aktivistëve që e kanë luftuar atë
· Në rend të parë vendosni pikëpamjet e ekspertëve, veçanërisht kur ato japin informacione nga këndvështrimi historik dhe/ose kur paralajmërojnë për keqpërdorime nga redaktorët
· Në rastet kur storjet përmbajnë ose duket se përmbajnë informacion të dëmshëm, raportuesit nuk duhet vetëm t’i citojnë ekspertët, por duhet t’i konsultojnë në mënyrë aktive ata që kanë studiuar për propagandë të ndihmuar nga kompjuteri dhe/ose propagandë mediatike dhe format e tjera të manipulimit përmes mediave