Inteligjenca artificiale gjenerative ka aftësinë të hartojë tekst, fotografi, përmbajtje audio ose video me komandë të lëshuar, por ende nuk është në gjendje t'i dallojë plotësisht faktet nga trillimi.
Megjithatë, nëntë vjet më vonë, pikërisht Asoshiejted Pres në verën e vitit 2023 ndërmori një hap pionier në lëshimin e Udhëzimeve të Inteligjencës Artificiale, duke shpjeguar se mjeti nuk mund të përdoret për të hartuar përmbajtje tekstuale dhe fotografi që mund të publikohen drejtpërdrejt në servisin e lajmeve, ndërsa AP-ja e inkurajon personelin e medias që të njoftohet me teknologjinë e inteligjencës artificiale.
Udhëzimet janë futur tashmë në Associated Press Stylebook, me ç'rast theksohet se materiali i gjeneruar nga inteligjenca artificiale duhet të kontrollohet me kujdes, ashtu si çdo burim tjetër gazetaresk. Gjithashtu, AP-ja u caktoi punonjësve të vet se segmenti i fotografive, videove ose audiove që është gjeneruar nga inteligjenca artificiale nuk duhet të përdoret, përveç nëse materiali i tillë i ndryshuar nuk është vetvetiu lëndë e historisë.
Kryetarja e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever në intervistë për gazetën serbe “Danas” thotë se inteligjenca artificiale nuk mund t'i zëvendësojë gazetarët në terren. Ajo shton se zhvillimi i teknologjisë nuk mund të ndalet, ndaj sigurisht që është më e zgjuar të ndjekësh zhvillimin dhe ta përdorësh si mjet për të përmirësuar kushtet e punës dhe vetë punën. Maja Sever thotë se gazetarët dhe mediat tashmë e përdorin inteligjencën artificiale në një pjesë të punës së tyre, të tilla si përkthimet, mbledhjen e të dhënave dhe përgatitjen në punën e përditshme të lajmeve. Efektet negative të inteligjencës artificiale, sipas kryetares së Federatës Evropiane të Gazetarëve, janë njoftimet për pushimet nga puna në disa shtëpi mediatike, siç është gazeta gjermane Bild, pikërisht për shkak të mundësive që i ofron inteligjenca artificiale.
Pikërisht Federata Evropiane e Gazetarëve është një nga 16-të organizatat që bashkë me "Reporterët pa Kufij" e përgatitën dhe publikuan këtë vit Kartën e Parisit për Inteligjencën Artificiale dhe Gazetarinë. Dokumenti ishte publikuar më 10 nëntor 2023, ndërsa hartimi i tij filloi në korrik 2023.
Me Kartën përcaktohet përmbledhja e 10 parimeve etike themelore për mbrojtjen e integritetit të informacioneve në epokën e inteligjencës artificiale. Pjesa më e rëndësishme e Kartës së Parisit nënkupton që etika duhet t'i menaxhojë zgjedhjet teknologjike në mediat, ndërsa njeriu duhet të mbetet faktor qendror në miratimin e vendimeve të redaktimit. Mediat duhet të bëjnë dallimin ndërmjet përmbajtjes autentike gazetareske dhe përmbajtjes sintetike të hartuar nga inteligjenca artificiale. Gjithashtu, parimi etik e mbron qëndrueshmërinë e gazetarisë kur negocion me kompanitë teknologjike, por edhe duhet të marrë pjesë në menaxhimin global me inteligjencën artificiale.
Ndër dhjetë parimet e futura në Kartën e Parisit për Inteligjencën Artificiale dhe Gazetarinë janë këto:
Etika gazetareske ta udhëheqë rrugën në përdorimin e teknologjisë nga mediat dhe gazetarët;
Mediat t'i japin përparësi përdorimit të punës së njeriut;
Sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura në gazetari duhet të kalojnë evalvimin e pavarur paraprakisht;
Mediat janë gjithmonë pala përgjegjëse për përmbajtjen që e publikojnë;
Mediat e mbajnë transparencën në përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale;
Mediat e sigurojnë origjinalitetin dhe mundësinë për ta kontrolluar atë;
Gazetaria tërheq vijë të qartë të dallimit ndërmjet përmbajtjes autentike dhe asaj sintetike;
Përmbajtjet e personalizuara dhe të rekomanduara që rrjedhin nga inteligjenca artificiale e mbështesin diversitetin dhe integritetin e informacioneve;
Gazetarët, mediat dhe gazetaria do t'i mbështesin grupet e përfshira në menaxhimin e inteligjencës artificiale;
Gazetaria i mbështet bazat e saj etike dhe ekonomike në angazhimet me organizatat që e krijojnë inteligjencën artificiale.
Instituti Amerikan Pojnter si qendër kërkimore e gazetarisë në prill 2023 i ftoi organizatat e gazetarëve në mbarë botën të krijojnë standarde për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe u bëri thirrje mediave që të informojnë opinionin e tyre për këtë.
“Kjo epokë e re kërkon që redaksitë të zhvillojnë standarde të reja, të qarta për atë se çfarë është e ndaluar dhe çfarë është e lejuar për gazetarët në aspekt të përdorimit të inteligjencës artificiale për të njoftuar, shkruar dhe shpërndarë lajme. Redaksitë duhet të veprojnë shpejt, por qëllimisht për t'i krijuar këto standarde dhe për t'i bërë lehtësisht të disponueshme për opinionin e tyre. Këto lëvizje janë të rëndësishme për ruajtjen e besimit të konsumatorëve të lajmeve dhe për sigurimin e përgjegjësisë së shtypit”, tha Instituti Pojnter.
Transparenca është thelbësore, shtojnë nga Instituti Pojnter, duke theksuar se opinioni ka të drejtë të dijë kur gazetarët kanë përdorur mjete të inteligjencës artificiale në punën e tyre.
Fondacioni i Gazetarisë Nimen në tekstin e tij ekstensiv për të shkruarit e standardeve për përdorimin e inteligjencës artificiale nga gazetarët dhe shtëpitë mediatike shpjegon se një nga hapat që duhet të ndërmarrin të gjithë është pasqyra e kodeve dhe udhëzimeve etike ekzistuese për gazetarët.
"Organizatave të gazetarëve u propozojmë t'i shqyrtojnë kodet e tilla të sjelljes dhe t'i kundërshtojnë - një nga një - me përdorimin potencial të inteligjencës artificiale gjenerative dhe rreziqet që mund t'i paraqesin," tha Fondacioni Nimen.
Një hap tjetër i rekomanduar për shtëpitë mediatike është miratimi i qasjes së vlerësimit të rrezikut përmes së cilës do të zhvillohet politika efikase për t'i zbutur rreziqet eventuale të përdorimit të inteligjencës artificiale.
Në fund, nga Fondacioni i Gazetarisë Nimen rekomandojnë të themelohet grupi i ekspertëve me bekgraund të ndryshëm, të cilët do të marrin pjesë në përgatitjen e udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale në gazetari.
"Kjo do t'u mundësojë organizatave të mendojnë për rreziqet që mund të ndodhin në redaksi dhe mund të ndihmojë në përcaktimin e rreziqeve më të gjera në të gjithë kompaninë që i tejkalojnë rrjedhat e përditshme të punës së gazetarëve," rekomandojnë nga Fondacioni Nimen.
Në dallim prej jashtë vendit, në Maqedoninë e Veriut ende duhet të hartohen udhëzimet për përdorimin e inteligjencës artificiale në gazetari, i cili hap sigurisht që do të ishte i mirëseardhur të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.