Autori Radomir Zhivotiq në librin “Zhanret gazetareske: Shtypi, radioja, televizioni", (Novinarski žanrovi: štampa, radio, televizija) thekson se struktura e lajmeve në media është e thjeshtë. Që në fillim të përmbajtjes mediatike, përmes fjalive maksimalisht të qarta jepen përgjigje koncize në pyetjet e mëposhtme për një ngjarje të caktuar: Kush çfarë ka bërë, cili është vendi dhe koha e ngjarjes (përgjigjet në pyetjet ku dhe kur), si ka ndodhur ngjarja ose pse ka ndodhur, me çfarë mjetesh dhe nga kush vjen informacioni.
Me këtë shpjegim të Zhivotiqit për strukturën e çdo teksti gazetaresk pajtohet edhe Dushan Sllavkoviq në librin e tij “Të jesh gazetar” (Biti Novinar). Ai thekson se obligimi i gazetarëve është që të përgjigjen në pyetjet bazë gazetareske në tekste: KUSH, ÇFARË, KU, KUR, SI ose PSE ndodhi diçka. Sllavkoviq shton se teoricienët e gazetarisë kërkojnë që në lajme të jepet përgjigje edhe në pyetjen se cili është burimi i informimit të fakteve dhe të dhënave. Ky rregull gazetaresk vlen jo vetëm për krijimin e çdo lajmi të caktuar në media, por edhe për të gjitha zhanret e tjera gazetareske.
Citimi i burimit të informacionit nuk vlen vetëm për tekstet, por edhe për fotografitë dhe videot. Teoria e gazetarisë nuk bën dallim mes mediave tradicionale apo të reja. Nën çdo fotografi të publikuar duhet të ketë një burim të informacionit. Mënyra më e lehtë për ne si publik që ta gjejmë burimin e informacionit në video ose tekste është ta kërkojmë atë pas fjalëve: "informoi", "njoftoi", "theksoi", "deklaroi", "tha", "transmetoi", "lajmëroi" etj.
Autori Vele Smilevski në “Leksikonin gazetaresk” thotë se përmbajtja mediatike është e plotë, nëse në të është cituar burimi. Redaksitë që mbështeten në vërtetësinë e asaj që e raportojnë nuk publikojnë informacion nëse për atë nuk kanë burim të verifikuar, të konfirmuar dhe të caktuar për të, thuhet në “Leksikonin gazetaresk”.
Natyrisht, gazetarët në përmbajtjet mediatike kanë të drejtë të mos e zbulojnë burimin e informacionit, por ka vetëm tre arsye kur përdoret ky veprim. Së pari dhe më kryesorja është kur burimi insiston të mbetet anonim. Mospublikimi i burimit mund të lejohet nga pikëpamja profesionale vetëm nëse bëhet fjalë për një temë jashtëzakonisht të rëndësishme me interes publik, me ç’rast vetë gazetari ka besim në burimin dhe të dhënat që i ofron ai, ndërsa burimi mund të vendoset në një situatë ku mund të pësojë ndonjë lloj dëmi për shkak të publikimit të një informacioni kaq të rëndësishëm për publikun.
Arsyeja e dytë që një gazetar ta ruajë të drejtën për të mos e zbuluar burimin e informacionit është kur gazetari detyrohet ta fshehë burimin nëse nuk ka argumente të mjaftueshme për atë që e zbulon përmbajtja mediatike. Por, pyetja në këtë rast është nëse një përmbajtje e tillë mediatike duhet të publikohet fare.
Arsyeja e tretë për moszbulimin e burimit të informacionit është kur burimi ka theksuar se të dhënat aktualisht nuk janë për publikim. Në këtë rast publikimi i informacionit pa lejen e bashkëbiseduesit është shkelje e kontratës dhe në këtë rast ky gazetar, me shumë mundësi, nuk do të marrë më informacion nga ky burim në të ardhmen.
Kuptohet, në shumë prej përmbajtjeve të krijuara mediatike, vetë gazetarët janë burimi i informacionit nëse e ndjekin një ngjarje të caktuar. Kjo është sinonim i marrjes së informacionit të besueshëm. Gjithashtu, burime informacioni mund të jenë mediat tjera, ekspertët, funksionarët dhe personalitetet tjera publike, njoftimet nga institucionet, njerëzit si dëshmitarë okularë të një ngjarjeje, dokumentet, materialet dhe diskutimet, bazat e të dhënave, marrëveshjet e lidhura, publikimet etj. Të gjitha këto janë burime informacioni që duhet të emërtohen me emrin dhe mbiemrin e personit, emrin e medias ose titullin e ndonjë dokumenti ose publikimi për t'u përmendur siç duhet në tekst, video ose fotografi.
Në të gjitha rastet kur përmbajtja mediatike nuk e thekson burimin e informacionit, ekziston rreziku që të dhënat që publikohen të jenë në fakt dezinformata, informata të gabuara, gjegjësisht të kenë mundësi të kthehen në joprofesionalizëm mediatik dhe burim për përhapjen e propagandës së dikujt.
Redaksitë profesionale në praktikën e tyre të përditshme gazetareske e shmangin përdorimin e shprehjeve të llojit: “nga burimet tona”, “sipas informacioneve të pakonfirmuara”, “thonë informacionet jozyrtare”, “burimi që ka dashur të mbetet anonim”, “nga burime të afërta me”, “nga burime të informuara mirë”, “sipas informacioneve që i kemi në dispozicion" dhe shumë formulime të tjera që janë konstruksione të zgjuara për të shmangur publikimin e burimit të informacionit. Kur publiku lexon, dëgjon ose shikon përmbajtje të këtilla mediatike pa burim të cituar, ai duhet ta marrë atë me një dozë rezerve.
Mospublikimi i burimit të informacionit shpesh mund të çojë në manipulimin e publikut nga ana e autorit të përmbajtjes mediatike, apo edhe më keq, manipulimin e burimit ndaj autorit të përmbajtjes së publikuar. Përmbajtjet mediatike pa burim të theksuar informacioni, në shumicën e rasteve janë përmbajtje jo të besueshme dhe duhet marrë me një dozë mosbesimi.
Në ditët e sotme, krijimi i fushatave njollosëse dhe narrativet propagandistike kanë mënyrën e tyre të prodhimit të dezinformatave, gjë që shpesh çon në fshehjen e burimit të informacionit në përmbajtjen e tekstit, audios ose videos. Pikërisht për këtë, duhet theksuar se citimi i burimit të informacionit është një nga burimet kryesore të besueshmërisë së përmbajtjes së publikuar mediatike.