Te përmbajtjet e besueshme mediatike, videoja, fotografia, teksti apo postimi i krijuar në rrjetet sociale duhet të përmbajë detyrimisht emrin dhe mbiemrin e profesionistit mediatik ose bashkëpunëtorit të jashtëm të medias i cili e ka përgatitur përmbajtjen e njëjtë. Në disa raste, sidomos gjatë përpunimit të videopërmbajtjeve, mediat profesionale i cekin të gjithë personat e angazhuar që kanë marrë pjesë në krijimin e saj – gazetar, xhirues, montues, narrator, etj. Në rastet kur ka më shumë se një autor i cili ka marrë pjesë në krijimin e përmbajtjeve të tilla, atëherë është e drejtë që të ceken të gjithë.
Kjo veçanërisht vlen për redaksitë mediatike që i përmbahen gazetarisë profesionale. Është e zakonshme që emrat dhe mbiemrat e autorëve të shfaqen në fillim ose në fund të një teksti ose fotografie të caktuar, ndërsa në videostoriet është e zakonshme që autorët të ceken në sekondat e fundit ose në fillim të incizimit.
Standardet profesionale të gazetarisë pësojnë vetëm disa përjashtime në të cilat mund të shmanget cekja e autorësisë. Në raste të rralla, kur një redaksi e caktuar ka nevojë që të reagojë ndaj akuzave të caktuara që u drejtohen atyre ose të japë sqarim për përmbajtjen e publikuar mediatike e cila ka shkaktuar reagime të mëdha në publik, është e zakonshme që të dilet me qëndrim të redaksisë si përgjigje me sqarime të dhëna ndaj akuzave dhe reagimeve të tilla. Nëse ndodh ndonjë sulm apo nënçmim i caktuar ndaj një punonjësi mediatik, edhe në raste të tilla është e zakonshme që teksti gazetaresk të mos nënshkruhet me emër dhe mbiemër, por të shënohet qartazi se pas tij qëndron e gjithë redaksia e medias.
Në raste jashtëzakonisht eksplicite, kur bëhet fjalë për një tekst, video ose fotografi të caktuar që është me interes jashtëzakonisht të madh publik dhe që ekspozon çështje të rëndësishme shoqërore, autori i një përmbajtjeje të tillë mund të mbetet i pacekur gjatë publikimit të saj, duke shënuar qartazi në përmbajtjen e publikuar se redaksia e njeh autorin, por nuk e zbulon. Përjashtimi i tillë mund të përdoret vetëm kur autori i një përmbajtjeje të tillë nuk është anëtar i redaksisë, mund të ekspozohet dhe sanksionohet lehtësisht deri në masën që mund të rrezikohet jeta e këtij "sinjalizuesi", veçanërisht në vendet që kanë modele jodemokratike të qeverisjes. Standardet gazetareske në raste të tilla ofrojnë mundësi për përjashtim.
Për publikun është jashtëzakonisht e rëndësishme që të informohet për autorin i cili qëndron pas përmbajtjes mediatike të cilën e lexon ose shikon. Përmes cekjes së emrit dhe mbiemrit të autorit, ajo mund të kontrollojë besueshmërinë e autorit, përvojën e tij profesionale gazetareske ose përvojën profesionale në të kaluarën, para, gjatë ose pas vëmendjes së kushtuar ndaj saj, për të parë nëse ka ndonjë ndryshim në qëndrimet e tij nga ajo që ka botuar më parë ose për të përmbushur ndonjë nevojë të ngjashme. Është e rëndësishme që përmes autorësisë së nënshkruar mund ta kontrollojë besueshmërinë e atij që qëndron pas tekstit. Nëse nuk pajtohet me përmbajtje të caktuar, cilido anëtar i publikut mund të reagojë ndaj përmbajtjes duke i dërguar letër redaksisë, por nëse ka momente të caktuara kontestuese për mosrespektim të rregullave gazetareske të përcaktuara në Kod, atëherë mund të dërgojë kërkesë për vlerësim të përmbajtjes së tillë nga Këshilli i Nderit pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë ose Këshilli për Etikë në mediat në Maqedoni. Në raste të caktuara, autori mund të paditet në gjykatë për shkelje të dispozitave të caktuara ligjore. Si rrjedhojë, autorësia e nënshkruar nënkupton jo vetëm tekst të besueshëm, por edhe detyrë për t’i respektuar rregullat e vendosura të lojës në profesionin e gazetarit ose në pajtim me ligjet.
Përkundër kësaj, ato përmbajtje mediatike që nuk kanë autor të nënshkruar ose kanë një lloj pseudonimi si autor, autor joekzistues me emër dhe mbiemër të rrejshëm të cekur në tekstin, fotografinë apo videon, janë rastet kur duhet të fillojmë të dyshojmë në vërtetësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin e asaj që shprehet në përmbajtjet e tilla mediatike. Më së paku që duhet të bëjmë gjatë autorësisë së panënshkruar është të pyesim veten nëse dikush dëshiron të na manipulojë dhe t'i marrim me rezervë (dezi)informatat e paraqitura në përmbajtje të tilla mediatike. Ajo që është e rëndësishme, në raste të tilla, për ne si individë të përgjegjshëm është të bëjmë hulumtime të mëtejshme të temës, në internet të gjejmë tekste, fotografi ose video të tjera që mund të japin sqarime, plotësim ose të dhëna të plota për atë që e kemi mësuar te përmbajtja e panënshkruar mediatike.
Ndërkaq, kjo praktikë nuk vlen vetëm për portalet e internetit, televizionet dhe mediat e shtypit, por edhe për postimet që shfaqen në rrjetet sociale në internet. Në fakt, rreziku nga manipulimi me përmbajtjet e publikuara sot është më i madhi në rrjetet sociale, kështu që përpara se të lexojmë një titull të caktuar ose të shikojmë video, është e rëndësishme që të hedhim një sy dhe të ndajmë ndonjë minutë për të konstatuar se kush e poston atë. Mos u besoni profileve me autor të panënshkruar ose autor me emër dhe mbiemër joekzistues, sepse kjo është një mënyrë për t'u mbrojtur nga manipulimi.