Ndërhyrja në fotografi duke ofruar kontekst të rremë apo duke përçuar informacion të pavërtetë, është nga format më të shpeshta të cheapfake në ditët e sotme. Mjafton një manipulim i lehtë dhe mesazhi që fotografia përçon mund të jetë katërçipërishtë i kundërt. Raste të tilla ekzistojnë që nga zbulimi i fotografisë dhe tashmë me mundësitë teknologjike, vetëm sa janë shpeshtuar. Përvoja na tregon që motivet për manipulime të tilla janë të ndryshme, duke filluar nga ato më të padëmshme, sikur argëtimi deri te arsyet për të dëmtuar tjetrin, siç janë motivet politike. Krahas këtyre dy motiveve, ekziston edhe përfitimi financiar si shtytje për të bërë manipulime.
Një rast i tillë i propagandimit me qëllime politike ishte manipulimi në fotografinë e mëposhtme. Kjo është cheapfake për shkak se autori ka manipuluar duke shtrembëruar të vërtetën. Fotografia në anën e djathtë është e publikuar nga Reuters në vitin 1999 dhe tregon për gruan shqiptare dhe 2000 refugjatët e tjerë që kërkonin të hynin në Maqedoni, në pikën kufitare të Bllacës. Madje kjo fotografi konsiderohet nga më të fuqishmet që fotografët e Reutersit kanë shkrepur. Ndërkohë, pas më shumë se dy dekada, e njëjta fotografi e Sherife Lutës ripublikohet në internet, por e manipuluar për të shpërndarë një propagandë pasi e njëjta grua paraqitet sikur viktimë serbe e bombardimeve të NATO-s. Fotografia në anën e majtë është manipulim dhe është publikuar në Twitter nga Ambasada Ruse në Afrikën e Jugut, një terren ku propagandat e tilla mund të jenë më të suksesshme marrë parasysh mungesën e informacioneve që mund të mbizotërojnë në atë vend lidhur me luftën në Kosovë. Propagandisti i famshëm nazist, Joseph Goebbels thotë se propaganda bëhet joefektive në momentin që ne jemi të vetëdijshëm për të. Prandaj, diplomacia ruse në këtë rast bën propagandë në një pjesë të botës ku pritshmëria që ajo të jetë efektive është më e madhe. Për ta kuptuar manipulimin mjafton thjesht një verifikim bazik i fotografisë, duke e kërkuar ndihmën e Google që ta kërkojë të njëjtën fotografi nëse është publikuar edhe më herët në internet, me opsionin “search Google for image”.
E njëjta fotografi është manipuluar edhe më parë dhe është shfaqur në një transmetim televiziv të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA Novosti, në gusht të vitit 2014. Aty Sherife Luta paraqitet si një nënë serbe, viktimë e bombardimeve të NATO-s pasi në fotografinë e manipuluar janë fshirë refugjatët e tjerë dhe në prapavijë është vendosur një objekt i rrënuar. Kjo tregon që manipulimi me fotografi sikurse në këtë rast është propagandim i qëllimshëm duke u orvatur që të shtrembërohet e vërteta. Cheapfake të tillë janë të rrezikshëm sepse devijojnë realitetin dhe përpiqen të bindin njerëzit të besojnë diçka që nuk është e vërtetë.
Ky shembull i Cheapfake tregon se sa mjet i rrezikshëm propagandimi mund të jetë. Manipulimet e tilla mund të krijojnë narrativa të bazuara në të pavërteta, prandaj shoqëritë duhet të jenë të vetëdijshme për format e tilla, të cilat mund të vijnë edhe nga adresa zyrtare, siç ishte rasti me fotografinë e Reuters-it, e manipuluar hollësisht dhe e publikuar edhe në profile zyrtare të diplomacisë ruse në Twitter.