Ky është një hap i domosdoshëm për të gjithë përdoruesit e medieve sociale, por një veprim i tillë është i nevojshëm edhe për qytetarët që informohen nga media tradicionale, apo nga portalet. Në rastin e portaleve, radiove apo televizioneve, qytetarët duhet ta verifikojnë lajmin duke e kërkuar atë në disa burime dhe duke i kushtuar vëmendje burimeve mbi të cilat është ndërtuar lajmi.
Dezinformimi mund të jetë edhe më shqetësues kur vjen nga gazetarët, ç’gjë ndodhë në Kosovë, dhe jo vetëm. Gazetarët në punën e tyre janë të vetmit që kanë për detyrë të mbajnë shoqërinë mirë të informuar, kjo nënkupton edhe verifikimin e çdo informacioni që ata marrin dhe që e publikojnë në medie. Në rast se gazetari plason në publik një informacion të paverifikuar, atëherë ai rrezikon të kontribuojë në kontaminimin e ambientit informativ në shoqëri. Fatkeqësisht, raste të tilla kemi edhe në vendin tonë. Nuk janë në numër të madh, por aq sa janë, duhet të kritikohen e të denoncohen zëshëm, jo sall për faktin që të mos përsëriten më dhe, që të kursehen qytetarët nga dezinformimi, por, publikimi I informacionit të paverifikuar e dëmton profesionin e gazetarit dhe imazhin e tij në shoqëri.
Rasti me dezinformatën lidhur me artistin e madh, Mirush Kabashin, është nga shembujt që dëshmojnë mungesën e kujdesit dhe dembelizmin e disa gazetarëve, që pa marrë mundin për të kryer hapin e parë në punën e një gazetari, që është verifikimi i informatës, kanë publikuar dezinformatën për ndarjen nga jeta të aktorit Kabashi. Kjo dezinformatë kishte ngjallë reagim nga publiku që e kishte besuar atë si të vërtetë. Me këtë shembull mund të nxjerrim dy përfundime të rëndësishme. E para, mosrespektimi i standardeve profesionale të gazetarisë dhe ngarendja për publikim të informacionit pa e verifikuar atë, po vazhdon ta dëmtojë misionin e gazetarisë. E dyta, është e ndërlidhur me shoqërinë, me papërgatitjen e saj në raport me përmbajtjet mediale dhe mungesën e gjykimit kritik ndaj informacioneve, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Efekti i një dezinformate si kjo për gjoja ndarjen nga jeta të artistit Mirush Kabashi, apo një dezinformatë për ndonjë personalitet tjetër të rendësishëm të jetës shoqërore, politike, kulturore, artistike, etj., mund të nxisë reagime të ndryshme në shoqëri dhe të cënojë mirëqenien e saj, mund të shkaktojë edhe revolta dhe prishje të rendit e të qetësisë publike, mund të ndikojë madje edhe në rrjedhën e një procesi politik a shoqëror. Qëkëndej, kjo dukuri shoqërore vetëm sa e shpërfaq nevojën për edukim medial dhe e vë në spikamë domosdoshmërinë që, disa nga shkathësitë e shekullit, e që, ndër të tjera, janë: të kuptuarit e medieve, të analizuarit e përmbajtjeve mediale, si dhe përdorimi i medieve, të shtrihen sa më shpejt në të gjitha hallkat e shoqërisë. Nëse vazhdon gjendja aktuale, atëherë do të vazhdojmë të kemi shoqëri, që, në përgjithësi, është lehtë të manipulohet si një shoqëri së cilës, në përgjithësi, i mungon gjykimi kritik. Për tëharrjen e dezinfomatave nga mediet dhe, të paktën për ngushtimin e terrenit të përshtatshëm për shtrirjen e tyre, duhet reagim I përqendruar shoqëror e profesional ndaj fenomeneve të tilla.
Që ta përmbyllim, në rastin e artistit Mirush Kabashi, qytetarët e kishin besuar lajmin e rremë, paçka se lajmi nuk kishte asnjë burim mbështetës. Pikërisht kjo çështje ngritet në Modelin e tri pyetjeve bazike, i cili është i ndërtuar për qytetarët, por në mjedisin e sotëm medial, vlen edhe për gazetarët, që gjithashtu shpesh burim informacioni kanë një postim në media sociale, apo e marrin një lajm nga media tjetër dhe nuk e verifikojnë, por vetëm e përcjellin tutje te publiku i tyre. Kjo e dëmton edhe reputacionin e gazetarit, medias dhe gazetarisë, që, edhe ashtu është nën shënjestrën e politikës që median e krahason edhe me ‘fake news’, pra, që nuk bën gazetari për të informuar shoqërinë, por të kundërtën, duke dezinformuar e keqinformuar.
Pra, gazetarët para se të raportojnë, duhet të kalojnë së paku në dy nga tri pyetjet e Modelit, pra, kush është burimi i informacionit dhe në cilat burime zyrtare mbështetet.
Ilustrim i sfondit: Photo by Seventyfour from Adobe Stock / Adobe Stock license