Trollët janë fenomen online, përkufizimi i të cilit po ndryshon dhe zgjerohet në mënyrë konstante. Në të kaluarën, trollët ishin asocuar me individë të frustruar - shpeshherë anonimë ose me profile të rreme - të cilët "bëjnë sehir" kur njerëzit e tjerë në hapësirën online nervozohen. Termi formal për këtë sjellje është ”potenca sociale negative”, përkatësisht marrin kënaqësi nga ajo që dikush tjetër të vuajë ose të reagojë negativisht ndaj asaj që bëjnë. Sipas profesorit Mark Grifits, "njerëzit e tillë i trollojnë të tjerët për hakmarrje, për vëmendje, për argëtim personal ose për mërzi".
Sot, ekzistojnë edhe trollët e punësuar nga organizatat politike, të cilët synojnë të vërshojnë hapësirën online me qëndrimet e tyre, ose më saktë, me qëndrimet e atij që i paguan. Sjellja e tillë, përkatësisht puna e të a.q. "fermat troll", quhet ”sjellja joautentike e koordinuar”.
Për çfarëdo trolli të bëhet fjalë, komunikologët janë unanimë për faktin se mënyra më e mirë për t'u përballur me trollin është injorimi. Nëse përpiqeni ta mundni atë, bëni pikërisht atë që ai dëshiron: i kushtoni vëmendje.
Megjithatë, si mund të identifikoni se po përballeni me troll dhe jo me dikë që thjesht ka qëndrim të panjohur? Fillimisht le të shohim se si duket trolli tipik i "vetë-motivuar".
"Vendbanimet" e trollëve
Përpara se të dimë se si të identifikojmë trollin "në natyrë", duhet të dimë se ku ata fshihen zakonisht.
Trollët shpeshherë u bashkëngjiten diskutimeve aktuale, të tilla si ato që janë "trending" në Tviter, pikërisht sepse ka shans më të madh që më shumë njerëz të bien në grepin e tyre. Më tutje, trollët shpeshherë gjenden në komentet e videove të njohura ose në publikimet e influencuesve. Qëllimi është të rritet përsëri numri i mundshëm i njerëzve që do të nervozohen nga komentet e tyre.
Në fund, trollët kanë prani më të madhe në forumet anonime, si Reddit, 4chan ose Quora. Pikërisht anonimiteti u mundëson të thonë gjëra që ndoshta nuk do t'i thoshin ballë për ballë me dikë.
Komentet jashtë temës
Edhe pse, siç u përmend më lart, trollët u bashkëngjiten diskutimeve për temat aktuale, kjo nuk do të thotë se ata do të flasin për ato tema. Përkundrazi, ata me mjeshtëri e devijojnë temën në ndonjë fushë në të cilën ata e dinë se mund t'u "shkojnë në nerva" më lehtë përdoruesve të tjerë online. Pra, trollët shpeshherë e devijojnë dialogun në temat politike kontroverse. Pikërisht parëndësia e komenteve të tyre do t'i shtyjë përdoruesit e tjerë të përfshihen në diskutim, në përpjekje për ta rikthyer atë në rrugën e duhur.
Toni arrogant dhe “naiv”
Trollët, pavarësisht se kanë për qëllim të shkaktojnë reagim negativ nga njerëzit e tjerë, shpeshherë sillen sikur ata nuk po përpiqen të jenë provokues ose se "thjesht po bëjnë pyetje", gjë që natyrisht vetëm më shumë i nervozon përdoruesit e tjerë.
Komentet si "qetësohu" ose "Pse nervozohesh aq shumë?" janë pothuajse shenjë e sigurtë se bëhet fjalë për troll, të cilit nuk ia vlen t'i kushtohet më vëmendje.
Injorimi i fakteve
Nëse nuk i ndiqni këshillat e mëparshme dhe përsëri vendosni të përfshiheni në betejën me fjalë dhe argumente me trollin, shumë shpejt do të vini re se ata shpeshherë nuk i dëgjojnë faktet. Edhe nëse atyre u paraqiten provat konkrete që bien ndesh me pretendimet e tyre, ata zakonisht do t'i injorojnë dhe do të kalojnë në taktikën nr. 2, përkatësisht ndryshimin e temës.
Trollët e paguar
Megjithëse, trollët "individualë" mund t'ju shqetësojnë, ata paraqesin më pak rrezik shoqëror në krahasim me trollët e paguar. Trollët e tillë punojnë në koordinim me trollët e tjerë, në të a.q. “fermat troll”, me qëllim që të rrisin popullaritetin e politikanit të caktuar ose ideologjinë e tij, duke vërshuar hapësirën online me qëndrime të caktuara.
Fermat troll janë paraqitur nëpër shumë vende, duke përfshirë Serbinë, Rusinë, Kinën dhe Maqedoninë e Veriut.
Këta trollë kanë stil të ndryshëm nga trollët "individualë" - pak më subtil.
Qëllimi i këtyre trollëve është t'ju shqetësojnë nga argëtimi i thjeshtë; ata synojnë ta devijojnë zemërimin tuaj ndaj politikanëve opozitarë dhe mbështetjen tuaj ndaj politikanëve që i paguajnë.
Nëse ndonjë akaunt ju duket se është me prirje tepër pozitive ose me prirje tepër negative ndaj ndonjë kauze të caktuar politike, ia vlen të hapni akauntin e tij për të parë nëse bëhet fjalë për akaunt joautentik.
Pak të dhëna personale
Nëse në profil, vërtetësia e të cilave ju duket e dyshimtë gjeni pak fotografi personale, ose thjesht disa fotografi gjenerike, ekziston probabilitet i lartë që ai person të mos ekzistojë në të vërtetë. Në fakt, trollët që punojnë në "fermat troll" shpeshherë kontrollojnë disa profile, secili prej tyre paraqitet si person i ndryshëm.
Sasia befasuese e publikimeve për një temë
Në mënyrë shtesë, disa nga këta troll akauntë aq shumë publikojnë sa do të pyesni veten se si kanë kohë për të - por është e lehtë të gjeni kohë për të komentuar dhe publikuar aq shumë nëse kjo është puna juaj.
Për më tepër, akauntët e trollëve shpeshherë publikojnë për disa gjëra të njëjta (sepse u është thënë drejtpërdrejt se çfarë të publikojnë, dhe jo të shprehin qëndrime personale).
Llojet e publikimeve që më së shpeshti janë shenjë e trollit të paguar përfshijnë: shpërndarjen e publikimeve ku parti të caktuara politike lavdërojnë veten; publikimeve nga faqet që publikojnë rregullisht dezinformata; dhe komenteve negative për kundërshtarët politikë, të cilat e kalojnë kufirin në gjuhën e urrejtjes.
Transparenca e internetit ka hapur hapësirë për njerëzit që mund të mos kishin mundur të gjenin zërin e tyre më parë, por gjithashtu ka hapur hapësirë për shumë sjellje joautentike, qoftë nga trollët që thjesht shijojnë nervozën e dikujt tjetër, qoftë nga trollët që përpiqen sistematikisht ta manipulojnë mendimin publik. Në çdo rast, mund t'u shmangeni me mjeshtëri trollëve nëse jeni të kujdesshëm që mos të lejoni që gjërat që ata i thonë t'i kuptoni personalisht dhe nëse jeni të kujdesshëm që mos t'i merrni të mirëqena mendimet e akaunteve të dyshimta.