E gjithë kjo e ndryshoi mënyrën e jetesës. Informacionet kryesisht i marrim në internet. Duam apo jo, ajo që dëgjojmë ose lexojmë ndikon në sjelljen, vendimet, botëkuptimin dhe preferencat tona, dhe veçanërisht ndikon te fëmijët dhe adoleshentët e moshës shkollore. Ata duhet të kenë njohuri adekuate dhe mendim kritik për të qenë në gjendje të lundrojnë siç duhet në fushën e medias/internetit.
Nxitja e të menduarit kritik
Njohuria mediatike i ndihmon studentët të bëhen përdorues më të mençur të medias dhe i mëson ata të jenë më të përgjegjshëm në rrjetet sociale. Mësimdhënia e edukimit mediatik ndihmon në nxitjen e të menduarit kritik te nxënësit. Në ditët e sotme, fëmijët mund të kenë lehtësisht qasje në materiale të besueshme dhe të pasigurta në internet, dhe shumë shpesh edhe në fakte të shtrembëruara. Qëllimi kryesor i postimeve dhe përmbajtjeve të tilla, të cilat kanë tituj të pazakonta, zakonisht është të tërheqin publik, përkatësisht t’i rrisin shikimet dhe pëlqimet, e me atë të marrin më shumë reklama dhe të fitojnë më shumë para.
Prandaj, është shumë e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi i nxënësve për edukimin mediatik, sepse ata kalojnë shumë kohë në internet. Nxënësit duhet të dinë se ajo që lexojmë, dëgjojmë dhe shohim në fushën mediatike nuk është gjithmonë e besueshme dhe reale. Shpesh hasim informacione të pasakta në internet, ndaj është shumë e rëndësishme që nxënësit të bëhen më kritikë ndaj informacioneve që i gjejnë përmes rrjeteve sociale dhe njëkohësisht të përdorin mjete për verifikimin e informacioneve.
Si duket programi për edukim mediatik?
Programi i mirë për edukim mediatik fillon me mësimin e nxënësve se si të parashtrojnë pyetje të mira dhe si t’i verifikojnë informacionet, thonë ekspertët. Deri në fund të shkollës së mesme, ata tashmë duhet të dinë ta verifikojnë besueshmërinë e lajmeve që i shohin në internet.
Vlera thelbësore e arsimit solid për edukim mediatik është që nxënësit të jenë në gjendje të qasen, analizojnë, vlerësojnë, krijojnë dhe veprojnë duke përdorur të gjitha format e komunikimit.
Është thelbësore që nxënësit të mësojnë gjithashtu se si duket gazetaria cilësore dhe etika e duhur mediatike. Kjo i ndihmon ata të mos bëhen viktima të informacioneve të shpërndara nga njerëz që nuk kanë trajnime gazetareske ose nuk u përmbahen standardeve etike.