Janë këto tendenca manipulative që mediat sot dinë shpesh t’i përdorin për ta arritur ndonjë cak të caktuar, apo synim që ka për qëllim ushqimin e apetiteve të ndonjë klani, grup interesi apo ndonjë agjende partiake. “Cherry picking”, është termi ndërkombëtar që fut në një ombrellë këtë lloj manipulimi mediatik.
“Cherry picking” është fenomeni që devijon paanshmërinë, raportimin e drejtë, të saktë dhe objektiv. Mediat sot, dinë shpesh të selektojnë argumente gjatë raportimit pavarësisht cilën ngjyrë partiake duan ta forcojnë, apo t’i japin ngjyrë më shumë.
Media del shpesh jashtë binarëve, kur ka në duar të saj “cherry picking”, duke selektuar argumente dhe duke bërë gazetari të njëanshme.
Gazetaria kësi soji nuk respekton opinionin publik, por edhe humb kredibilitetin e saj, duke u bërë në këtë mënyrë vegël manipulimi.
Gazetari nuk duhet të drejtohet nga bindjet personale, gazetari duhet të drejtohet ka përmbledhja e sa më shumë argumenteve, pa anime. T’i jepet hapësirë çdo qëndrimi rreth presidentit të ardhshëm. T’i jepet hapësirë çdo opinionisti. Megjithatë, kur mëtohet të tregohen rejtingje, e rendit është të dilet me numra.
Media, por edhe publiku, duhet të dijë rëndësinë e interesit publik.
Paanshmëria është me rëndësi thelbësore gjatë raportimit. Lajmet duhet të bazohen në fakte, të cilat janë të verifikuara, të atribuuara dhe të dëshmuara.
Për të qenë i paanshëm gjatë plasimit të lajmeve dhe informacioneve, do të thotë që të përjashtohet çdo qasje ose mendim personal gjatë formësimit të tyre, ndërsa publikut t’i lihet të nxjerr vetë përfundime pa iu imponuar qëndrimet personale.
Publiku duhet ta ketë të lehtë, pasur parasysh edhe rekomandimet e mësipërme, të dallojë kur autori i ndonjë produkti gazetaresk tenton që opinionin ta shëtisë ka bindjet e veta dhe jo te argumentet e mirëfillta. Një kokë e shëndoshë, kritike, gjithmonë duhet të kërkojë dy anë në çfarëdo produkti gazetaresk, ose më saktë, tezë të argumentuar me më së paku dy fakte.