Edhe pse Tiktok ka vendosur rregullativa për të përforcuar sigurinë e të rinjve dhe tërheqjen e përmbajtjeve të padëshiruara. Përdoruesit e rrjetit social gjejnë mënyra se si ta shmangin detektimin nga algoritmet e TikTok-ut.
Përdoruesit e TikTokut për të shmangur censorimin e videove të tyre e manipulojnë algoritmin që të mos i detektojë përmbajtjet eksplicite. Në videot në të cilat shihet gjak, përdoruesit përdorin hashtag-un "#fakeblood", që e mashtron algoritmin të mendojë se skena në video nuk është serioze dhe se është aktrim, një shembull tjetër është përdorimi i fjalës në gjuhën angleze “unalive” që në përkthim i bie “jo gjallë” në këtë mënyrë përdoruesit i shmangen fjalës vdekje dhe algoritmi të mos mund ta detektojë videon. E gjitha kjo mundëson që video me përmbajtje eksplicite prej lufte, vetëlëndim dhe sfida të rrezikshme të munden të shpërndahen me hov të madh. Përmbajtjet në TikTok nga momenti që shpërndahen nga një profil, shpërndahen edhe në profile tjera që e bën edhe më të vështirë vërtetimin e videos origjinale por edhe censorimin e tyre.
Mediat luajnë një rol vital në shpërndarjen e videove me përmbajtje eksplicite në platformat tjera që si pasojë rezulton në ekspozimin e audiencave të reja në këto përmbajtje.
Çka duhet të bëjnë mediat në raste kur shpërndahet ndonjë sfidë e rrezikshme në TikTok?
· Mediat duhet t’i verifikojnë informacionet dhe burimet e tyre
Përmbajtjet në TikTok jo gjithmonë janë të besueshme dhe të bazuara në burime kredibile. Shpesh ndodh që profile të rrejshme të shpërndajnë përmbajtje me qëllime politike, për propagandë dhe për shikueshmëri.
Fëmijët dhe të rinjtë, shpesh bien pre e këtyre përmbajtjeve që rezulton edhe në lëndimin e tyre.
Përpara se të shpërndahen këto përmbajtje, mediat duhet të verifikojnë personin që po i krijon këto përmbajtje, origjinën e përmbajtjes dhe për çfarë qëllimi është publikuar dhe si është konceptuar kjo nga publiku. Më pas të vendosë nëse duhet apo nuk duhet të shpërndahet një përmbajtje e tillë.
Rast i tillë ishte edhe me lojën “Balena Blu” e cila u përhap në shumë vende jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, kjo lojë që pretendohet të ketë shkaktuar lëndime dhe raste vdekje te individë nuk është konfirmuar asnjëherë se ekziston apo nuk ka prova konkrete për të njëjtën, përpos dëshmive të personave që konfirmojnë se e kanë luajtur të njëjtën. Mediat duke shpërndarë këto përmbajtje duke mos i verifikuar ndikojnë në rritjen e shikueshmërisë së tyre.
· Mediat nuk duhet t’i shpërndajnë përmbajtjen e individëve duke i bërë sfidat në platformat e tyre
Shpesh ndodh që mediat pa mos e menduar mirë, të shpërndajnë video të individëve duke i bërë sfidat e rrezikshme të TikTokut. Shpërndarja e tillë, rezulton në informimin e një publiku të ri në përmbajtje të tilla duke i vendosur edhe persona tjerë në rrezik.
Skenat traumatike dhe lajmet me përmbajtje traumatike tërheqin më shumë vëmendje dhe klikime. Në këtë mënyrë edhe shpërndahen më shpejtë edhe më lehtë. Por, mediat duhet ta kenë parasysh se raportimi i shpeshtë në këto ngjarje mund të rezultojë në ekspozimin e publikut më të gjerë në këto përmbajtje të rrezikshme dhe të rritet numri i personave që i provojnë sfidat dhe të rritet numri i të lënduarve.
· Raportimi i shpeshtë në përmbajtje të tilla mund të shkaktojë rritje të vetëlëndimeve dhe rritje të rasteve të vdekjes
Personat që përdorin Tiktok më së shumti janë fëmijët dhe të rinjtë dhe jo çdokush e përdor atë. Shpërndarja e sfidave të rrezikshme të Tiktokut në platforma tjera si Facebook, mund të rezultojë në ekspozimin e një publiku të ri në këto përmbajtje dhe të inkurajojë edhe ata t’i provojnë sfidat duke rritur edhe numrin e personave të lënduar dhe në raste më të rënda të rezultojë edhe në vdekje.
Eksperti i rrjeteve sociale, Gëzim Qaili për Telegrafi, tregoi se mënyra më efikase për të zvogëluar shikueshmërinë e tyre është që të mos fliten vazhdimisht për shkak se ato ushqehen nga kjo.
· Media nuk duhet t’i tregojnë të dhënat personale të viktimave
Në rast të fatkeqësive dhe raste të lëndimit duke provuar këto sfida të rrezikshme, mediat nuk duhet të tregojnë pamje apo të dhëna personale të viktimës. Në shumë raste, mediat publikojnë emrin dhe mbiemrin e viktimës, nga ku janë por edhe fotografi të tyre edhe ndonjëherë edhe profilet e tyre me pamje nga ngjarja fatkeqe. Mediat duhet të raportojnë në bazë të Kodit Etik i cili thekson se:
“Gazetari duhet ta respektojë privatësinë e personit, vetëm nëse ajo është në kundërshtim me interesin publik. Gazetari është i obliguar që ta respektojë dhimbjen e personave”.
· Fokusi i mediave duhet të jetë të edukojnë
Me shtimin e portaleve informative online, qëllimi i mediave nuk është e qartë për publikun. Qëllimi i mediave është që të informojnë për çështje të interesit publik duke edukuar për mënyra se si publiku mund të mbrohet nga fenomene të caktuara.
Në rastin e sfidave të TikTok-ut, mediat fokusohen në mënyrën si ato sfida janë kryer, në cilin lokacion dhe me çfarë metodash. Raportimi i tillë pikë për pike sqaron se si kryen këto sfida dhe e bën qasjen te këto sfida edhe më të lehtë.
Mediat mund të ndihmojnë në raste të tilla duke biseduar me ekspertë dhe duke këshilluar prindërit, arsimtarët dhe të gjithë të përfshirët për mënyrat se si mund t'i parandalojnë këto ngjarje.