Gjurma digjitale mund të përkufizohet si "shteg virtual" që i përmban të gjitha ndërveprimet tona online, nga blerjet online dhe deri te kërkimet në internet. Një pjesë e rëndësishme e jetës sonë zhvillohet përmes ekraneve të pajisjeve tona, ndaj me rëndësi thelbësore është t'i njohim efektet e pranisë sonë digjitale. Informacionet që i ndajmë dhe të dhënat që i gjenerojmë lënë shenja të pashlyeshme në internet, duke formuar jo vetëm reputacionin tonë online, por edhe duke ndikuar në mundësitë dhe sigurinë tonë të së ardhmes. Prandaj, është e rëndësishme të kuptojmë gjurmën digjitale dhe si të lëvizim në peizazhin e identiteteve tona online.
Gjurma digjitale mund të ndahet në aktive dhe pasive.
Gjurma aktive është kur përdoruesi vet, me vetëdije ndan informacione për veten e tij, si për shembull, postimet në rrjetet sociale ose forumet. Përdoruesi jep informacione për veten e tij, të cilat më pas mblidhen në ndonjë data-bazë. E njëjta gjë ndodh kur krijojmë profile në faqet e internetit dhe identifikohemi, përkatësisht kur abonohemi në ndonjë faqe ose i pranojmë biskotat.
Për gjurmën digjitale pasive, në fakt, nuk jemi të vetëdijshëm se ekziston, por ndodh kur faqet vetvetiu mbledhin të dhëna, si për shembull, sa herë dhe kur e keni vizituar faqen dhe adresën tuaj IP.
Pse është e rëndësishme gjurma digjitale?
Dukuria e tillë është e rëndësishme, sepse gjithçka që ngarkohet në internet është e përhershme ose shumë e vështirë për t'u fshirë. Në një numër të madh vendesh, universitetet, punëdhënësit dhe institucionet e tjera shpesh online hulumtojnë për kandidatët përpara se të punojnë me ta. Gjurma juaj online e tregon sjelljen online dhe të dhënat personale.
Me përdorimin dhe praninë në rritje të internetit në jetët tona, ka të ngjarë të ketë gjithnjë e më shumë informacione digjitale për ju. Në këtë mënyrë rritet rreziku që këto informacione të përdoren me qëllim të keq dhe kundër jush përmes llojeve të ndryshme të krimit kibernetik, fishingut dhe vjedhjes së identitetit.
Për t’u mbrojtur nga dukuritë e tilla, është shumë e dobishme t'i ndiqni disa këshilla të thjeshta:
1. Vendosni fjalëkalime të ndërlikuara:
Fjalëkalimet në profilet tuaja duhet të jenë kombinim i shkronjave të mëdha dhe të vogla, numrave dhe shenjave për ta bërë më të vështirë depërtimin e personave të tjerë.
2. Jini të kujdesshëm me cilësimet në mediat sociale:
Shikoni dhe rregulloni cilësimet e privatësisë në profilet tuaja të mediave sociale për të kontrolluar se kush mund t'i shikojë informacionet tuaja. Kufizoni sasinë e informacioneve personale që i shpërndani në mediat sociale.
3. Përdorni rrjet privat virtual (VPN)
Provoni të përdorni VPN për të fshehur lidhjen tuaj të internetit dhe për t'i mbrojtur të dhënat tuaja nga përgjuesit potencialë.
4. Jini të kujdesshëm me të dhënat personale:
Shmangni ndarjen e informacioneve personale të panevojshme në internet, veçanërisht në forumet publike. Gjithashtu, jini skeptikë ndaj kërkesave për informacionet personale dhe kontrolloni legjitimitetin e faqeve të internetit përpara se të ndani çfarëdo qoftë të dhënash.
5. Edukohuni rreth fishingut:
Jini të kujdesshëm kur klikoni në linqe ose shkarkoni bashkëngjitje nga burime të panjohura. Konfirmoni legjitimitetin e e-postave dhe mesazheve, veçanërisht nga ata që kërkojnë informacione personale.
6. Jini të kujdesshëm me biskotat dhe cilësimet e shfletuesit:
Pastroni rregullisht biskotat dhe historikun e shfletimit. Rregulloni cilësimet e shfletuesit për të përmirësuar privatësinë, si për shembull, përdorimi i regjimit inkognito.
7. Jini të informuar
Informohuni për kërcënimet më të reja të sigurisë online dhe praktikat më të mira për mbrojtjen e gjurmës suaj digjitale.
Fshirja e plotë e gjurmës suaj digjitale është e pamundur, por mund të mbroni veten me atë që do t'i çaktivizoni profilet dhe e-mailet tuaja joaktive.