Orwell, kur elaboron efektin dhe suksesin e propagandës në vitet e 1940, ndër të tjera thotë se “diçka e tillë më tremb, sepse më jep ndjesinë se vetë koncepti i të vërtetës objektive po shuhet në këtë botë”. 80 vite më vonë jetojmë në periudhën e pas të vërtetës apo post-truth, çka nënkupton pikërisht atë për çka druhej Orwell se do të ndodhte. Në epokën e sotme, ku fakti sulmohet nga fakti alternativ (term që në janar 2017 e kishte përdorë këshilltarja e Presidentit Trump, Kellyanne Conway), ku emocioni shpesh dominon racionalen, ku krijohet huti apo dyshim mbi të vërtetën nëpërmjet dezinformimit apo keqinformimit, njeriu duhet të gjejë mënyrën për të mos lejuar të manipulohet, për të mos lejuar të keqorientohet, të krijojë bindje apo të veprojë duke u bazuar në diçka që nuk është e vërtetë.
Viteve të fundit janë shpeshtuar format audiovizive të manipulimit, edhe për faktin që shoqëria tashmë më shumë preferon të konsumojë informacione nëpërmjet fotografisë apo videos, se sa të lexojë një tekst. Cheapfake është një nga format audiovisuale të dezinformimit ose keqinformimit dhe këtë po e përdorin akterë të ndryshëm global kur dëshirojnë të krijojnë huti apo mjegullnajë mbi një çështje të caktuar. Shembuj të tillë kemi të shumtë në raport me luftën në Kosovë, cheapfake që kanë qëllim të rishkruajnë historinë duke manipuluar me të vërtetën. I tillë ishte rasti me fotografinë e refugjates shqiptare, Sherife Luta, në kufirin e Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Një tjetër shembull është ky me paraqitjen e refugjatëve shqiptar si refugjatë që largohen nga Ukraina drejt Rusisë. Kanali televiziv rus, “Mir 24” kishte publikuar fotografinë e mëposhtme, duke ia ndërruar anën dhe për të ndërtuar kontekst të manipuluar të fotografisë. Këtë e kishte dekonstruktuar edhe StopFake, kontrollues faktesh nga Ukraina. Kjo fotografi është e vitit 1999 dhe tregon dëbimin e shqiptarëve dhe është shkrepur në Bllacë.
Në anën e majtë është fotografia me ndërhyrje dhe mbishkrim të rremë. Në anën e djathtë është fotografia e vërtetë. Burimi: StopFake, https://www.stopfake.org/en/russia-s-top-lies-about-ukraine-part-2/
Rusia dhe Serbia vazhdimisht përpiqen të shpërndajnë narrativën e rreme që NATO ka gabuar me ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999. Përveç manipulimit me publikun rus apo serb, dezinformata që mbështesin këtë narrativë shpërndahen edhe në vende të tjera, siç ishte rasti me tweetet (figure 2) e Ambasadës Ruse në Afrikën e Jugut në përvjetorin e bombardimit të NATO-s dhe për dy vite rresht, ky institucion përdori fotografi të manipuluara për të përçuar tutje propagandën anti-NATO dhe anti-Kosovë.
Fotografi të manipuluara të publikuara në Twitter nga Ambasada ruse në Afrikën e Jugut. Tweet i 2021-s është në anën e majtë, ndërkaq i 2022-s është në anën e djathtë. Burimi: Twitter, @EmbassyofRussia
Në mars të vitit 2021, Ambasada ruse në Afrikën e Jugut përdori fotografinë e manipuluarë të refugjatës shqiptare, ku aty paraqitej si viktimë serbe e intervenimit të NATO-s. Në mars të vitit 2022, e njëjta Ambasadë ruse, si dhe profili i misionit të Rusisë në OSBE përdorën një fotografi nga lufta e Irakut derisa i referoheshin bombardimit të NATO-s në Serbi. E njëjta fotografi ishte përdorë edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, pak ditë më vonë. Megjithatë, MPJ e Serbisë e kishte fshirë atë tweet dhe më vonë, një tjetër tweet ishte publikuar pa atë fotografi. Ky manipulim me fotografinë nga lufta e Irakut ishte dekonstruktuar edhe nga sektori për kontrollim faktesh i Reuters-it.
Një tweet i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë në Mars 2022, duke përdorë një foto nga lufta në Irak. Burimi: Twitter, @MFASerbia
Këto narrativa të rreme janë të pranishme për më shumë se një dekadë dhe fushatat dezinformuese për të forcuar këto narrativa aktivizohen herë pas herë. Një tjetër rast ishte dezinformata e publikuar nga Sputnik-u për mohimin e masakrës së Reçakut. Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Lavrov kishte krahasuar ngjarjen e Bucha-s në Ukrainë me Reçakun në Kosovë duke deklaruar se janë të trilluara. Për masakrën e Reçakut, kryediplomati rus në intervistën për Sputnik-un rus tha se trupat e të masakruarve nuk ishin të civilëve, por sipas tij, u kishin ndërruar rrobat për t’u dukur si civilë.
Narrativat dezinformuese do të vazhdojnë të ofrojnë sfida, por ka shpresë për të hedhur poshtë këto dhe për të avancuar të vërtetën. Është e domosdoshme që njerëzit të zhvillojnë edukim medial, aftësi të të menduarit kritik dhe përkushtim për të kontrolluar dyfish informacionin përpara se ta pranojnë atë, në mënyrë që të krijojnë një shoqëri që është më rezistente dhe më e ditur. Ndër të tjera, modeli i tre pyetjeve bazike mund të jetë shumë i dobishëm për çdo individ dhe së bashku kontribuojmë në një narrativë ku drita e së vërtetës i kalon hijet e dezinformimit dhe propagandës.
Klikoni këtë lidhje për të parë kursin tonë falas, me ritëm të pavarur mbi Kundërshtimin e Dezinformimit në anglisht.
Fotografi nga sezerozger