Kërcënimet hibride mund të rezultojnë me luftë dhe këtë e ka dëshmuar Rusia, me fillimin e luftës në Ukrainë, pas disa vitesh lufte hibride me Ukrainën. Lufta hibride përfshin një ndërthurje të mjeteve tradicionale dhe jotradicionale me veprime të koordinuara në fushën politike, ekonomike, ushtarake dhe të informacionit. Ky është rreziku më i madh që i kanoset Kosovës në ditët e sotme. Kërcënimet e tilla, si propaganda, dezinformimi, sulmet kibernetike, janë të pranishme tash e disa vite në Kosovë për një mori shkaqesh. Në krye të shkaqeve qëndron moszgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë, që vazhdon të prodhojë kriza politike në vend.
“Qasja e 4 Sh-ve”
Narrativat serbe dhe ruse që kanë për qëllim diskreditimin e Perëndimt dhe zhvendosjen e fajit për krizat ku përfshihen edhe vetë, mund të analizohen dhe të zbërthehen me modelin e 4 Sh-ve, të zhvilluar nga studiuesi britanik në DFRLab të Atlantic Council, Ben Nimmo, në studimin e tij për operacionet ruse në fushën e informacionit, gjatë aneksimit të Krimesë. Ky model përbëhet nga shkartimi, shtrembërimi, shpërqendrimi dhe shqetësimi.
Qasja e parë është shkartimi ose hedhja poshtë e akuzave. Narrativat serbe e ruse ndërtohen duke mohuar akuzat, ose duke denigruar atë që i bën ato. Këtë e gjejmë në disa deklarime të zyrtarëve serbë dhe rusë, të cilët sulmojnë kryeministrin Kurti apo qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj situatës në veriun e Kosovës.
Qasja e dytë është shtrembërimi i informacionit. Zyrtarët apo mediat serbe dhe zyrtarët apo mediat ruse, e bëjnë këtë për t’i shërbyer narrativës së tyre anti-Kosovë, anti-NATO dhe anti-BE. Një nga shembujt e tillë të ditëve të fundit ishin raportimet për gjoja përgatitjen e Kosovës për luftë, apo deklarimet publike të zyrtarëve shtetërorë që akuzojnë perëndimin për ndërhyrjen e padrejtë në Kosovë në fund të 90-ve. Këto propaganda përsëriten ndër vite nga mediat serbe e ruse, si dhe zyrtarë të ndryshëm të të dy shteteve.
E treta qasje është shpërqendrimi ose largimi i vëmendjes, duke akuzuar tjetrin për të njëjtën gjë. Për shembull, propagandimi që Qeveria e Kosovës me veprimet e saj po nxitë konflikt të armatosur.
Qasja e katërt është përhapja e shqetësimit, duke paralajmëruar lëvizjet që synojnë frikësimin e të tjerëve. Presidenti serb, Vucic kërcënonte me futjen e ushtrisë në Kosovë duke ndjellë luftë.
Ky model i 4 Sh-ve ndihmon të analizohen dhe të zbërthehen dezinformatat, për t’i bërë më të kuptueshme për secilin qytetar.
Narrativa të rreme në kanale të ndryshme
Narrativa kryesore e dezinformatave ruse dhe serbe gjatë mesit të dhjetorit 2023 ishte se Bashkimi Evropian dhe SHBA po provokojnë një luftë të re duke mbështetur Kosovën dhe duke bërë presion ndaj Serbisë, për të shkëputur lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Ky është një shembull i luftës hibride me të cilën po përballet Kosova. Kur analizohen deklaratat e aktorëve të ndryshëm politikë në Rusi dhe Serbi, është e qartë lidhja mes deklaratave të tyre, por edhe mënyra se si përdoren mediat, sepse e njëjta narrativë e rreme shpërndahet përmes kanaleve mediatike, si RT apo Telegram. Për shembull, më 13 dhjetor 2023, Kremlini edhe një herë u përfshi në prodhim të dezinformatave që cak kishin Kosovën. Fillimisht, ambasadori rus në Serbi, Botsan-Kharchenko deklaroi se është gabim nëse mendohet se Rusia nuk ka kohë që të merret me zhvillimet në Kosovë dhe akuzoi shtetet perëndimore që po e mbështesin Kosovën. Mëpastaj, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq theksoi se kanë mbërritur buzë konfliktit të armatosur nga veprimet e Kurtit dhe nga mosveprimet e KFOR-it e të EULEX-it. Kjo deklaratë u shoqërua nga një tjetër prononcim nga Kremlini, këtë herë ishte Maria Zakharova e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila, në profilin e saj në Telegram shtoi se situata në veriun e Kosovës është projeksion i BE-së, duke e sulmuar Bashkimin Europian dhe Perëndimin. Në të njëjtin narracion, Russia Today propagandon se perëndimi po e përdorë situatën në Kosovë për të shkëputur lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe me Kinën. Në një transmetim televiziv, RT vazhdon me narrativën anti-NATO duke përcjellë mesazhin se eskalimi i situatës në veri është shkaktuar nga NATO. Në Telegram nuk reshtin dezinformata të ndryshme për mobilizimin e ushtrisë serbe për intervenim në Kosovë, apo duke e vënë në pikëpyetje rolin paqësor të ushtarëve të KFOR-it në menaxhimin e situatës. Përdorues të ndryshëm të Telegramit shpërndanë dezinformata lidhur me situatën në veri të Kosovës, kryesisht për të krijuar mjegull për atë që po ndodh dhe për të përforcuar narrativën se mund të fillojë një luftë e re mes Serbisë dhe Kosovës.
Fajësimi i NATO-s dhe i BE-së për tensionimin e situatës në veriun e Kosovës, është narrativa kryesore e RT (Russia Today) me propagandën që e shpërndan në vende të ndryshme nëpërmjet kanaleve të saj në gjuhë të ndryshme. Në Azerbajxhan, Sputnik raportonte se SHBA-ja po provokon Serbinë të fillojë operacion ushtarak. Një tjetër kanal televiziv rus, 1TV akuzonte Perëndimin se po organizon ndodhitë në veriun e Kosovës. Në gjithë këtë trend propagandimi, muajin e kaluar, Rusia hapi kanalin e ri të RT në gjuhën serbe, për të shtuar një mjet më shumë në luftën hibride ndaj Kosovës.
Nga ana tjetër, shtypi serb ka vazhduar me dezinformata të ndryshme. “Kurir” dhe “Alo” i referoheshin operacionit kroat “Stuhia” duke propaganduar se kinse Kosova po planifikon t’i largojë serbët nga veriu i Kosovës. Sipas “Informer”, “KFOR-i kinse po e shtyn Kurtin të egërsohet dhe të persekutojë serbët”, ndërkaq “Kurir” akuzon Perëndimin për heshtje karshi sjelljeve të Kurtit. Së fundi, kryeministri Kurti për “Guardian” deklaroi se largimi i barrikadave mund të rezultojë me viktima ndërkohë kjo deklaratë e Kurtit u shtrembërua në Serbi. E përditshmja, “Alo” në ballinë kishte titullin “Rrënqethëse: Kurti shpallë hapur se do të vrasë serbët”. Të njëjtin shtrembërim e bën edhe zyrtarë të shtetit serb, Kryeministrja Brnabic, Vucevic e Petkovic. Ky kombinim i deklarimeve publike të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore serbe me dezinformatat që qarkullojnë në mediet serbe është një shembull tipik i propagandës të sponsorizuar nga shteti serb.
Çfarë duhet të bëjë Kosova?
Institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që para së gjithash të krijojnë narrativën e tyre, të demantojnë dezinformatat e propagandat serbe dhe ruse, si dhe të zbërthejnë taktikat serbe dhe ruse. Për këtë, agjencia anti-dezinformim është domosdoshmëri në shtetin tonë.
Për të krijuar narrativën, institucionet e Kosovës mund të zgjedhin edhe formën e “narrativës alternatuese” që ka tri shtylla: bazën pozitive, shpërndarjen pro-aktive dhe nuk është përgjigje për narrativat tjera, por propozim i diçkaje tjetër. Megjithatë, në disa raste, duhet të zgjedhë edhe formën e “kundër narrativës”, që nënkupton trajtimin direkt të propagandës, përgjigjet taktike ndaj ideve të reja dhe kërkon copëzim të kujdesshëm të audiencës së synuar nga propaganda.
Narrativa alternative, si një qasje ‘e butë’, mund të përdoret nga institucionet e Kosovës, kur bëhet fjalë për luftën dhe ndërhyrjen e NATO-s (fushatën e bombardimeve ajrore kundër Jugosllavisë gjatë Luftës së Kosovës). Për shembull, kuptimi më i thellë i luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Ky rrëfim artikulon historinë e një ndërhyrjeje, që nuk është thjesht ushtarake, por që i ka rrënjët te humanizmi. Në këtë rrëfim, NATO ishte pasqyrë e problemeve të krijuara nga Jugosllavia gjatë viteve të 90-ta dhe ndërhyrja ishte zgjidhja për disa nga ato probleme, siç ishte ndalimi i katastrofës humanitare që po shpalosej atëherë në Kosovë.
Kosova do të duhej të kishte agjencinë për anti-dezinformim, e përbërë nga ekspertë të fushës të gërshetuar me zyrtarë të disa institucioneve kyçe, nga qeveria, kuvendi, presidenca, fusha e sigurisë, e ekonomisë, etj., që do të merrej kryekëput me dezinformatat dhe propagandat serbo-ruse. Kjo agjenci do të mund të angazhohej edhe në zbërthimin e taktikave ruse dhe serbe, në hulumtimin dhe analizimin e propagandave, dezinformatave, narracioneve të shtrembëruara qëllimisht, që do të krijonin pasqyrë mbi përhapjen e propagandave dhe dezinformatave, të cilat vazhdojnë të përhapen të pakontrolluara dhe lidhjet midis mediave serbe apo ruse dhe kanalave tjera propagandistike mbeten të pazbuluara. Gjithashtu, kjo agjenci nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme në shoqëri, do të shpërndarte njohuritë e nevojshme edhe te shoqëria, që të mos bien pre e propagandave serbo-ruse.
Qëndrimi duarkryq në sferën publike lë mundësinë që qytetarët e Kosovës të jenë edhe më shumë pranues të propagandës pro-serbe dhe pro-ruse nga burime të ndryshme të informimit, në gjuhë të ndryshme. Pasiviteti në ambientin publik informativ bën që shoqëria jonë të jetë e ekspozuar ndaj dezinformatave rreth situatës në veriun e vendit, si dhe ndaj propagandave të huaja të përhapura qëllimisht për të mbjellë përçarje në shoqëri, jo vetëm në marrëdhëniet ndëretnike.
Ilustrimi i sfondit: Foto nga Photocreo Bednarek – Adobe Stock licencë