E akuzuara u shpall fajtore për diskriminimin e rëndë kundër personave nga komuniteti LGBT përmes deklaratave të përsëritura në Fejsbuk. Komuniteti e sheh këtë aktgjykim të parë si sukses në luftën e tij të gjatë kundër diskriminimit. Sido që të jetë, statusi juridik i gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht ai i kryer në internet dhe i bazuar në karakteristikat gjinore, mbetet i papërcaktuar. Urrejtja në rrjetet sociale prek shumë njerëz, veçanërisht ata në sytë e publikut, qofshin ata politikanë / politikane, gazetarë / gazetare ose influencues / influencuese. Edhe pse Këshilli i Evropës dhe Kombet e Bashkuara kanë vendosur kornizë për luftën kundër gjuhës së urrejtjes në mbarë botën, përkufizimi i përgjithshëm i këtij fenomeni ende mungon. Prandaj, vende të ndryshme trajtojnë urrejtjen në internet në mënyra të ndryshme: SHBA-ja e thekson të drejtën kushtetuese për lirinë e shprehjes, ndërsa Evropa merr masa më të forta kundër gjuhës së urrejtjes njëkohësisht duke e mbrojtur lirinë e fjalës.
Gratë si objektiv i urrejtjes në internet
Në veçanti, gratë shpeshherë goditen me urrejtje specifike gjinore në internet. Fondacioni Metamorfozis i shqyrtoi lidhjet midis gjinisë dhe gjuhës së urrejtjes në internet, si dhe trajtimin e këtyre incidenteve nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut. Gjuha e urrejtjes që është specifike për gjininë në platformat online ishte veçanërisht e orientuar kundër gazetareve, aktivisteve dhe politikaneve. Por, edhe ofline, gratë në funksionet publike janë të ekspozuara ndaj një sërë sharjesh, kërcënimesh, fyerjesh dhe shpifjesh. Personaliteteve politike si kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska dhe ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska u mohohet autoriteti dhe legjitimiteti i tyre. Gazetaret janë gjithashtu shpeshherë viktima të urrejtjes për shkak të raportimit të tyre. Tanja Milevska, e cila punon si korrespondente në Bruksel për agjencinë e lajmeve të Maqedonisë së Veriut, MIA, e goditi Shitstorm (stuhia e fyerjeve) për arsye se e kritikoi Qeverinë. Mirosllava Birns, e cila për momentin shkruan për Slloboden Peçat, u shpif për artikullin në të cilin i zbuloi shkeljet e kodit gazetaresk. Edhe akademiket si Katerina Kollozova dhe influencueset si Mia Kostova nuk janë kursyer nga gjuha e urrejtjes. Edhe pse deklaratat e tyre publike shkaktojnë sulme të njëpasnjëshme, urrejtja ndaj këtyre grave zakonisht nuk bazohet në deklaratat e tyre, por në pamjen e tyre. Turpi i trupit, racizmi dhe mizogjinia demonstrojnë interseksionalitetin kompleks të gjuhës së urrejtjes kundër grave në internet. Në kundërshtim me të, sulmet ndaj burrave shoqërohen me inteligjencën ose shthurjen e tyre. Fejsbuku po dëshmohet të jetë platforma kryesore për gjuhën e urrejtjes në internet, pasi është edhe rrjeti social më i përdorur në Maqedoninë e Veriut.
Gjuha e urrejtjes në internet shpeshherë mbetet e pandëshkuar
Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut pa dyshim deklaron barazinë e qytetarëve në lidhje me liritë dhe të drejtat e tyre, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike, kombësisë, bindjes politike ose fetare, pozitës pronësore ose shoqërore. Derisa mediat tradicionale i nënshtrohen kornizës së qartë juridike, shumë portale online funksionojnë jashtë mbikëqyrjes zyrtare. Kodi Penal dhe Ligji për media nuk përmbajnë dispozita të qarta për gjuhën e urrejtjes në internet, por neni 394 (g) i Kodit Penal e kriminalizon përhapjen e përmbajtjes raciste dhe ksenofobe përmes sistemeve kompjuterike. Sido që të jetë, mungesa e shkresës së qartë në legjislacion e bën të vështirë luftën kundër formave online të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. Qëndrimi i butë i gjyqësisë reflektohet edhe në faktin se dënimet me kusht janë të zakonshme në procedurat gjyqësore që lidhen me gjuhën e urrejtjes në internet. Analiza e aktgjykimeve gjyqësore duke iu referuar nenit 394 (g) tregon se rastet e abuzimit në internet shpeshherë lidhen me përkatësinë politike të viktimës, veçanërisht ndërmjet nëpunësve / nëpunëseve publike. Në mënyrë plotësuese, gjuha e urrejtjes bazuar në statusin personal ose social është e përhapur gjerësisht. Disa raste përfshijnë gjuhën e urrejtjes bazuar në fenë, përkatësinë etnike dhe moshën. Megjithatë, analiza tregon se nuk ka aktgjykime për gjuhën e urrejtjes bazuar në gjini ose identitetin gjinor. Përkufizimi jo i plotë i gjuhës së urrejtjes dhe rregullimi joadekuat i mediave online e përkeqësojnë problemin dhe shpeshherë i lejojnë kryerësit të largohen pa u ndëshkuar. Të prekurit rrallë i paraqesin këto incidente. Anketa me 103 të anketuar tregon se 65% kanë qenë viktima të gjuhës së urrejtjes ose njohin dikë, por vetëm 40% i kanë paraqitur incidentet në institucionet qeveritare ose rrjetet sociale. Rezultatet e paraqitjeve varionin nga mosveprimi deri te heqja e mesazheve dhe bllokimi i qasjes në platformë për kryerësit. Të anketuarit e theksuan skepticizmin për efektivitetin, besimin e ulët në mekanizmat institucionalë dhe frikën nga korrupsioni policor si arsye për mosparaqitjen e incidenteve. Në mënyrë plotësuese, disa thanë se nuk dinin se ku dhe si t'i paraqitnin incidentet. Ky boshllëk në komunikim e thekson nevojën për përhapjen më efektive të informacioneve përmes burimeve të disponueshme dhe kanaleve të raportimit për luftën efikase kundër gjuhës së urrejtjes në internet. Si pjesë e projektit tonë kërkimor, kemi pyetur edhe zyrat e avokatëve dhe organizatat qytetare për shpeshtësinë e kërkimit të ndihmës juridike në rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. 42% e zyrave të avokatëve dhe dy të tretat e organizatave qytetare që ofrojnë ndihmë juridike falas thanë se asnjëherë nuk u ishte kërkuar ndihmë në raste të tilla. Më shpesh, gratë e punësuara të moshës 30 deri në 55 vjeçe kërkojnë ndihmë në raste të tilla në Shkup.
Të rritet ndërgjegjësimi publik
Organizatat qytetare në veçanti kërkojnë përgjegjësi penale për kryerësit online dhe kontroll më të madh administrativ të platformave të mediave sociale. Ato gjithashtu vënë në dukje sfidat që vijnë nga profilet e rreme dhe e theksojnë nevojën për fushata për ndërgjegjësimin publik. Të gjitha këto përpjekje për rritjen e ndërgjegjësimit duhet të marrin parasysh edhe natyrën gjinore të gjuhës së urrejtjes në internet. Platforma e gjuhës së urrejtjes e Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë tregon nivelin më të lartë të rasteve të paraqitura në vitin 2020. Sidomos gjatë pandemisë COVID-19, gjuha e urrejtjes në internet dhe rastet e paraqitura janë rritur ndjeshëm në Maqedoninë e Veriut - gjithashtu për shkak të rritjes së aktiviteteve në internet lidhur me pandeminë, rritjes së polarizimit digjital dhe arsimimit të ulët digjital në mesin e popullsisë. Në vitet më pas shënoi rënie, pasi përdoruesit mund të jenë vetëcensuruar për të shmangur kundërreagimet. Gjuha e urrejtjes e orientuar kundër komunitetit LGBTKIA+, megjithatë, është më e zakonshme në ngjarjet e tilla si Parada e Krenarisë. Në Maqedoninë e Veriut, gjuha e urrejtjes online me bazë gjinore shpeshherë i përkeqëson sfidat ekzistuese për gratë. Sidomos në shoqëritë patriarkale si Ballkani, urrejtja specifike gjinore ndaj grave shpeshherë banalizohet. Në tetor 2022, Komisioni Evropian tregoi se Maqedonia e Veriut duhet të përmirësojë zbatimin e ligjeve të gjuhës së urrejtjes dhe Planit Kombëtar të Veprimit ndaj Konventës së Stambollit kundër dhunës ndaj grave. Komisioni i identifikoi platformat e mediave online si burim kryesor të dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes. Në fund, Raporti u angazhua për fushata për të përmirësuar kuptimin e palëve të interesuara dhe publikut.
Të krijohen bazat juridike
Ndërkohë ndryshime ka pësuar edhe Kodi Penal. Nga viti 2023, sulmet ndaj gazetarëve / gazetareve dënohen në mënyrë të ngjashme, si edhe incidentet kundër nëpunësve / nëpunëseve shtetërore ose avokatëve / avokateve, për të cilat parashikohet dënimi me burg. Në mënyrë plotësuese, është zgjeruar fushëveprimi i arsyeve që mund t'i bëjnë njerëzit viktima të krimit - në internet ose në jetën reale. Ato tani i përfshijnë edhe kategoritë e gjinisë, orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Megjithatë, ballafaqimi i këtyre sfidave vazhdon të kërkojë përmirësime në infrastrukturën juridike dhe mekanizmat e përgjegjësisë për platformat online. Mundësimi i viktimave për të paraqitur incidentet dhe promovimi i kulturës së përgjegjësisë digjitale janë hapat kryesorë për luftën kundër urrejtjes në internet. Dështimi për të ndërmarrë veprime jo vetëm që rezulton në dëm të mëtejshëm për individët, por edhe e minon besimin në hapësirat digjitale.
Hate Speech - Gjuha e urrejtjes përfshin deklarata fyese që nxisin diskriminimin dhe dhunën dhe veçanërisht i prekin personat e margjinalizuar. Gjuha e urrejtjes specifike gjinore orientohet kundër njerëzve bazuar në gjininë e tyre dhe zakonisht është mizogjene ose seksiste. Literatura plotësuese »The rise of hate online: Hate Speech in cyber space targeted at women in North Macedonia«, Mila Josifovska Danilovska, Vesna Radinovska & Despina Kovačevska, in ONLINE ACTIONS, OFFLINE HARMS: Case studies on Gender and Cybersecurity in the Western Balkans Cybersecurity Research Network, 2023.