Ky hap shpesh quhet "detoks digjital" dhe synon të përmirësojë mirëqenien mendore të njerëzve duke kufizuar kohën që ata kalojnë në internet ose, në rast ekstrem të ndërpritet plotësisht për një periudhë të caktuar kohore.
Ka shumë arsye që një individ të fillojë të a.q. detoks digjital. Si fillim, mund të dëshironi të jeni më të pranishëm në jetën tuaj të përditshme ose të keni më shumë bashkëveprime sociale me njerëzit në jetën tuaj. Hulumtimet në mbarë botën tregojnë se interneti është një nga shkaqet më të mëdha të stresit tek fëmijët dhe të rriturit.
Kur bëhet fjalë për detoks digjital, ju vetë i vendosni qëllimet tuaja dhe kjo nuk do të thotë që duhet të largoheni plotësisht nga teknologjia nëse nuk e dëshironi atë. Vetë i vendosni kufijtë tuaj dhe disa hapa që mund t'ju ndihmojnë janë si më poshtë:
1. Pasqyra e shprehive tuaja digjitale
Monitoroni sa kohë kaloni para ekraneve çdo ditë dhe identifikoni cilat aplikacione dhe aktivitete ju harxhojnë më së shumti kohë. Kjo vetëdije do t’ju ndihmojë t’i caktoni sferat e përmirësimit.
2. Qëndroni fleksibil
Jini të përgatitur për të përshtatur planin tuaj për detoks digjital sipas nevojës. Është në rregull të bëni përjashtime për detyra thelbësore ose për raste urgjente, por përpiquni t'i përmbaheni planit dhe qëllimeve të paracaktuara.
3. Kufizojeni kohën që e kaloni në telefon
Në ambientet e punës është shumë më vështirë të shkëputeni nga teknologjia sesa në jetën private, prandaj, pas orarit të punës reduktojeni periudhën që e kaloni në rrjetet sociale.
4. Gjeni hobi i cili do t’ju shkëpusë nga telefoni
Filloni aktivitet të cilën keni pasur dëshirë ta filloni. Palestër, art, të shkruarit e disa propozimeve të cilat mund t’ua përmirësojnë disponimin.
5. Shkyçeni telefonin në kohë specifike
Kur e dini se nuk ju duhet telefoni, shkyçeni pajisjen ose aktivizojeni opsionin “do not disturb”. Kjo mund të jetë në orët e mëngjesit, gjatë drekës, pas darkës ose në cilëndo kohë kur nuk është prioritet përdorimi i tij.
6. Praktikoni vetëdije digjitale
Praktikoni vetëdije digjitale, bëni pauzë përpara se ta merrni pajisjen tuaj dhe pyesni veten nëse hapja e telefonit tuaj është prioritet.
Nga detoksi digjital ka shumë përfitime. Koha e reduktuar në internet kontribuon në nivele më të ulëta të stresit, ankthit dhe depresionit. Shkëputja nga pajisjet digjitale ju mundëson një pushim nga vala e vazhdueshme e informacioneve dhe njoftimeve. Do të keni më shumë kohë për t'u fokusuar në detyrat që duhet t'i mbaroni, duke çuar në rritjen e produktivitetit dhe efikasitetit.
Duke minimizuar aktivitetet tuaja në email, media sociale dhe gjëra të tjera që i ofron interneti, ju mund t'u përkushtoheni plotësisht projekteve dhe aktiviteteve të rëndësishme. Më pak kohë e shpenzuar në ekran do të thotë më shumë kohë për aktivitete fizike. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për shëtitje, për të praktikuar joga ose sporte rekreative, detoksi digjital i nxit individët që t'i japin përparësi lëvizjes dhe stërvitjes, duke çuar në përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor.