Kit Braun është profesor në Shkollën e Politikës dhe Studimeve Globale në Universitetin Shtetëror të Arizonës. Ai është gjithashtu drejtor i Qendrës “Melikian” për Studime Ruse, Euroaziatike dhe të Evropës Lindore. Braun ka doktoraturë në antropologji nga Universiteti i Çikagos dhe punon kryesisht në fushat e kulturës, politikës dhe identitetit. Disa nga kërkimet e tij të gjera mbi etno-nacionalizmin dhe rolin e historive kombëtare në Ballkan janë në dispozicion të publikut përmes përkthimeve të librave “E kaluara nën pikëpyetje: Maqedonia moderne dhe pasiguritë e kombit” (2010) и “Besnik deri në vdekje: Besimi dhe terrori në Maqedoninë revolucionare” (2014).

Në një intervistë me portalin për promovimin e të menduarit kritik dhe edukimit mediatik “KriThink”, dr. Braun shpjegon rëndësinë e të menduarit kritik në shqyrtimin objektiv të çështjeve që lidhen me historinë.

Sa i rëndësishëm është zbatimi i të menduarit kritik në histori, gjegjësisht në historiografi dhe antropologji?

Mendimi kritik është shumë i rëndësishëm edhe për historinë edhe për antropologjinë. Skeptikët dhe mohuesit ndonjëherë i refuzojnë metodat tona si të “buta” ose përsërisin klishe të venitura se si “historinë e shkruajnë fitimtarët”. Por, vlerësimi dhe krahasimi i burimeve, janë përbërësit themelor të të dyja disiplinave për vlerësimin se si faktorët kulturorë dhe socialë ndikojnë në marrjen e vendimeve individuale. Për më tepër, ndoshta edhe më me rëndësi është se historianët dhe antroplogët pranojnë se kuptimet dhe horizontet ndryshojnë me kalimin e kohës dhe në vende të ndryshme.

Kjo është me rëndësi të veçantë gjatë studimit të nacionalizmit – një mënyrë e organizimit politik dhe formimit të identiteteve, që solli deri tek shkatërrimi i perandorive, multifunksionale të shekullit XIX, e që shpesh kërkon legjitimitet me pretekst për rrënjë shumë të vjetra. Situatat komplikohen edhe nga sjellja e shteteve kombe, të cilat investojnë shumë në përcjelljen e ndjenjave të thella tek qytetarët e vet, për histori të ndarë, që i dallon nga të tjerët. Shpesh, më lehtë është për njerëzit t’i shohin paqëndrueshmëritë dhe shtrembërimet e vizionit për të kaluarën e fqinjëve, se sa ta vendosin nën pikëpyetje dhe nga afër ta shqyrtojnë historinë për të cilën mendojnë se e mban bashkë shoqërinë e tyre.

Veshoket janë “dy copa lëkure të qepura nëpër qoshe për kufizim të shikimit të kalit, që ai të mund të shohë vetëm përpara.“ Foto: CriThink.mk

Mendimi kritik kërkon, si një ndër hapat e para, t’i marrim parasysh veshoket tona (mbrojtëset për sy, pjesë efrerit me të cilat kuajt drejtohen të shohin vetëm në një drejtim), paragjykimet tona dhe fushat e mosdijes. Në favor të mendimit kritik është edhe dialogu, ku pjesëmarrësit i shfrenojnë egot e tyre dhe nuk lejojnë që t’i mbartin agjentët e tyre, por nuk e matin suksesin e tyre përmes asaj se sa pikë do të fitojnë, por përmes asaj se sa mundësi të reja për shqyrtimin e gjërave kanë ndihmuar të krijohen edhe për vete, por dhe për të tjerët.

HISTORIA KOMBËTARE DHE FAKTET E SAJA “POZITIVE“ DHE “NEGATIVE“

Establishmentet politike në shumicën e vendeve të Ballkanit si duket insistojnë në promovimin e konceptit të historisë kombëtare, në thelbin e të cilës është përzgjedhja e fakteve “pozitive” dhe përjashtimi fakteve “negative”, me qëllim që të krijohen ose të ruhen narrative (tregime) zyrtare, të cilat më pas përdoren në tekstet shkollore të arsimit publik për ta inkurajuar patriotizmin. Në 200 vitet e fundit, kjo qasje dogmatike është përdorur shpesh si një pikënisje për të justifikuar shtypjen e “të tjerëve”. A ka mënyra të tjera për t’iu qasur historisë?

Historia ofron një fushë studimi tepër të pasur. Në vitin 2015, studiuesja e historisë gojore Svetllana Aleksieviç mori çmimin Nobel, për letërsi për kronikat e saj me të cilat i ruan zërat e qytetarëve gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Organizatat si EuroClio, anëtarë të së cilës janë shumë mësimdhënës të historisë nga Ballkani dhe Evropa Lindore, promovojnë studimin e historisë globale, i inkurajojnë anëtarët dhe nxënësit ta hulumtojnë historinë shoqërore, kulturore dhe ekonomike. Historianët e guximshëm me mendje të hapur shpesh janë kritikët kryesorë të ekskluzivitetit, i cili është në zemër të historive kombëtare. I tillë është rasti edhe në Shtetet e Bashkuara, përmes përpjekjeve të tilla si Projekti 1619 (për historinë e skllavërisë).

Mendoj se këto lloje të qasjeve kanë një potencial të madh për të transformuar kuptimin e njerëzve për të kaluarën dhe për të inkurajuar të menduarit se si e tashmja do të duket e shikuar nga e ardhmja. Jam veçanërisht i kënaqur me potencialin e mikro-historisë, pionier i së cilës është Karlo Ginzburg, përmes së cilës nxirren kuptime më të gjera universale përmes studimit të hollësishëm të një ngjarjeje ose bashkësie.

Librat “Besnik deri në vdekje…“ (Loyal unto Death, Trust and Terror in Revolutionary Macedonia, 2013) dhe “E kaluara nën pikëpyetje…“ (The past in question: Modern Macedonia and the Uncertainties of Nation, 2003) në gjuhën angleze.

Në librin tuaj “Besnik deri në vdekje, besimi dhe terrori në Maqedoninë revolucionare” i potenconi sfidat e mosbesueshmërisë ose paragjykimit të burimeve historike të disponueshme nga fundi i shekullit XIX, duke përfshirë korrespondencën e konsujve britanikë të ruajtur në mikrofilm, në Muzeun e Luftës Maqedonase në Greqi dhe kërkesat për pensione, të cilat në periudhën midis viteve 1948 dhe 1956 në shtetin e ri maqedonas u paraqitën nga revolucionarët tashmë të mbijetuar nga periudha e Ilindenit, dhe të cilat ruhen në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si jeni përballuar me sfidën e nxjerrjes së informacionit të dobishëm nga ato të dhëna?

Së pari, kisha lexuar shumë prej atyre burimeve gjatë studimeve të mia pasuniversitare në antropologji. I vetëdijshëm se Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 u interpretua në mënyra të ndryshme nga studiues për të cilët konteksti i saktë ishte historia greke, bullgare, serbe, shqiptare, jugosllave, osmane, ballkanike ose maqedonase, unë doja të afrohesha sa më afër periudhës, përmes punës sa më të afërt me burime të cilat, në një mënyrë apo tjetër, qëndronin jashtë kornizave të tilla të referencës.

Për shembull, më bëri përshtypje fakti që, sipas të dhënave në Arkivin Shtetëror në Shkup, vetëm disa studiues madje kërkuan qasje në dosjet e biografisë nga Arkivat e Ilindenit. Kuptimi im ishte se këto burime u refuzuan sepse ato ishin shkruar qartë për interes personal. Nga ana tjetër, arkivat diplomatike dhe konsullore britanike, franceze, gjermane dhe amerikane trajtohen si të paanshme, objektive dhe klinike, sikur autorët e tyre të ishin profesionistë mjekësorë të trajnuar shkencërisht që diagnostikuan sëmundjet e një perandorie që po vdiste. Në librin “Besnik deri në vdekje” shkruaj se kam vendosur q; ndaj këtyre dy grupeve të burimeve të përdor një qasje alternative, përmbysëse. Pavarësisht nëse kërkuesit individualë të pensioneve i kanë ekzagjeruar rolet e tyre apo kanë anashkaluar elemente nga kujtimet e tyre për shkak të të cilave nuk mund të njihen nga shteti, storjet e tyre u bazuan në përvojat dhe kuptimet e tyre personale ose në përvojat dhe kuptimet e moshatarëve të tyre. Askush prej tyre nuk gënjeu për strukturën organizative të organizatës revolucionare, metodat e rekrutimit, ose aspektet logjistike të prokurimit të armëve ose shpërndarjes së informacionit dhe furnizimeve. Cili do të ishte interesi i tyre personal për të gënjyer për ato gjëra? Kështu, ato ofrojnë individualisht, por edhe më shumë si një përmbledhje, një pasqyrë të përvojës së përbashkët të përditshme të pjesëmarrjes në rezistencë dhe kryengritje.

Të dhënat konsullore britanike, të cilat shpesh lexohen sikur kanë autoritet të padiskutueshëm, i pasqyrojnë biografitë, perspektivat dhe qasjen në burimet e autorëve të tyre. Për shembull, Alfred Bilioti ishte një shtetas britanik i natyralizuar i lindur në ishullin e Rodosit, i cili hyri në shërbim si përkthyes dhe përparoi deri në pozicionin e konsullit, duke pasur lidhje të ngushta me autoritetet osmane dhe greke. Nga ana tjetër, Xhejms Mekgregor fliste bullgarisht dhe shprehu pikëpamjen e tij se Organizata ka mbështetjen e fortë të popullit. Raportet e tyre ndryshojnë ose kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Me këtë rast, nuk po them se të gjitha burimet ose deklaratat janë njësoj të vlefshme ose po aq të dyshimta. Konkretisht, unë dua të them se ne duhet t’i kapërcejmë paragjykimet tona kulturore, pavarësisht nëse ato përfshijnë shprehjet si “fshatarët gënjejnë” ose “diplomatët janë karrieristë cinikë”, dhe të jemi në vëzhgim të mënyrave në të cilat ato mund të na befasojnë.

Librat “E kaluara nën pikëpyetje: Maqedonia Moderne dhe pasiguritë e kombit” (2010) dhe “Besnik deri në vdekje: Besimi dhe terrori në Maqedoninë Revolucionare ”(2014) në maqedonisht.

BURIMET HISTORIKE DHE PËRDORIMI I TYRE ME DIOPTRINË E SOTME

Në mungesë të një makine funksionale kohore, është e vështirë të përcaktohet saktësisht “vetëdija kombëtare” e figurave historike, duke qenë se të dhënat origjinale mund të mos ekzistojnë, të jenë censuruar, të jenë sajuar/falsifikuar, ose janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Për më tepër, interpretimet e tyre përdoren si burime dhe ka raste të ndryshimit të kuptimit të disa prej termave të përdorur në atë kohë. Cilat shkathtësi të të menduarit kritik duhet të kultivohen në rajonin e Ballkanit për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të tilla?

Tek “E kaluara në pikëpyetje” unë zgjodha të përdor gjuhën e burimeve konsullore britanike pa e modernizuar ose ndryshuar atë, dhe u përpoqa t’i përkthej burimet nga greqishtja ose bullgarishtja në anglishten e asaj kohe, në vend të anglishtes të shekullit XXI. Prandaj kam përdorur terma si “Bullgar”, “Arnaut”, “Mijak” dhe “Ekzarkist” për t’ua kujtuar lexuesve se bota e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte shumë e ndryshme nga bota e sotme. Është ajo kohë kur “Greqia” i referohet një territori që mbulon vetëm rreth gjysmën e Greqisë moderne, kur vetëm një numër i vogël i njerëzve që atëherë do ta quanin veten “Bullgarë” ndiheshin besnikë ndaj “Bullgarisë” me kryeqytetin e saj Sofjen dhe e cila në atë koha administrohej zyrtarisht nga osmanët, kur sulltani u përpoq të kufizonte përdorimin e gjuhës shqipe dhe termin “Maqedonia”, si dhe kur ekzistonte mundësia e një aleance interesi midis shteteve-kombe ambicioze të Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë për të ndarë dhe nacionalizuar territorin osman, sigurisht që do të dukej absurde për shumicën e njerëzve të sotëm.

Për mua, të menduarit kritik në mënyrë paradoksale kërkon të dallojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë pas periudhës që po përpiqemi ta kuptojmë. Ose, të paktën, t’i lejojmë vetes t’i kuptojmë ngjarjet e mëpasshme si befasuese ose të paktën të pashmangshme. Kështu, pastaj mund të përqendrohemi në faktorët që shkaktojnë shfaqjen e rezultateve. Kjo gjithashtu na çliron nga iluzioni se personalitetet nga e kaluara, si p.sh. personazhet nga periudha e Ilindenit – Goce Dellçevi, Nikolla Karevi, Damjan Gruevi ose Boris Sarafovi e kanë imagjinuar identitetin e tyre brenda nacionalizmave të së ardhmes së tyre.

Megjithatë, pikërisht çështjet e tilla po bëhen pika qendrore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, nga Goce Dellçevi (Bullgari – Maqedonia e Veriut) te Nikola Teslla (Serbi – Kroaci). Ka një sërë personalitetesh të tjera që mund të shërbejnë si justifikim për konflikt në të ardhmen: Skënderbeu (Greqi – Shqipëri), Njegoshi (Mali i Zi – Serbi), Mbreti Marko (Maqedonia e Veriut – Serbi – Bullgari)… në varësi të sasisë relative të pushtetit politik, duke përfshirë mundësinë e vënies së vetos për pranimin BE në një moment të caktuar në të ardhmen. A ka ndonjë mënyrë për t’i zgjidhur çështjet e tilla në një nivel më të lartë, më objektiv, sesa vetëm midis vendeve në fjalë (dhe në bazë të raporteve të tyre të fuqisë)?

Shkencëtarët socialë, duke përfshirë historianët (do ta përfshija edhe veten time në këtë vlerësim), nuk janë gjithnjë në hap me zhvillimet në disiplinat dhe fushat e tjera. Kjo dëshmohet nga qasjet e rrënjosura në konventat shkencore të shekullit XIX, të bazuara në qasjet e Njutonit, me fokus në ndarjen e realitetit kompleks të pjesëve për të cilat mund të kryhen eksperimente individuale, duke testuar një hipotezë të bazuar në parimin “ose/ose” për të përcaktuar shkakun dhe pasojën, rregullat për transferimin dhe transformimin e energjisë, etj. Nga ana tjetër, shkenca moderne teorike dhe eksperimentale, është zhvendosur nga kjo paradigmë në një botë me kuarkët, bosonet dhe mekanikën kuantike, ku jo-specialistët e kanë të vështirë t’i kuptojnë gjërat. Pyetni një person mesatar për të dhënë mendim për dualizmin e valës korpuskulare dhe biseda nuk ka gjasa të zgjasë shumë. Kjo mënyrë e të menduarit kërkon përpjekje dhe rirregullimin jo-intuitiv të asaj që është rrënjosur thellë dhe konsiderohet arsye e shëndoshë në përputhje me parimin e “të dyjave”. Por, kjo mungesë e të kuptuarit të publikut nuk i ndalon fizikanët të bëjnë punën e tyre dhe të krijojnë njohuri të reja për mënyrën se si funksionon universi.

Historia e Ballkanit është formësuar nga ambiciet territoriale dhe mosmarrëveshjet e njëqind viteve të fundit, me çka u krijua një situatë e “shumës zero” – një term nga teoria e lojës, që do të thotë se nëse një lojtar fiton, tjetri duhet të humbasë automatikisht. Ajo gjithashtu ka fituar edhe aspekte kuazi-fetare, pasi debatet e vazhdueshme zbulojnë shqetësime në lidhje me pastërtinë dhe ndotjen e pretendimeve themelore në lidhje me besnikërinë dhe tradhtinë. Pakënaqësia dhe mosmarrëveshjet përshkallëzohen dhe në këtë rast, nuk ka asnjë mekanizëm me të cilin të dy palët do të bien dakord të mbështeten tek një gjyqtar i jashtëm me autoritetin për të gjykuar se kush ka të drejtë – sepse bastet janë shumë të larta.

Një qasje alternative mund të jetë, për shembull, që mosmarrëveshja mbi identitetin “real” të Goce Dellçevit të shihet si një rast klasik i dilemës së të burgosurve, një lojë në të cilën të dy palët kanë frikë se nëse heqin dorë nga pretendimi i tyre për pronësi, do të humbin, ndërsa pala tjetër do të fitojë (e drejta për tu mburrur? Prestigji? Imazhi i një kombi “të vërtetë”?). Mirëpo, pasoja e refuzimit të tyre për të pranuar dysinë është se komuniteti i gjerë i kombeve i sheh ata si pa kompromis dhe të njëanshëm.

A duhet të zhvillohet një lloj Tribunali Shkencor Ndërkombëtar për të parandaluar përshkallëzimin, në mënyrë analoge me gjykatat që përdoren për të siguruar përfundimin e konflikteve të tjera, të tilla si gjenocidet dhe krimet e luftës (Ruanda, ish-Jugosllavia)?

Unë nuk shoh ndonjë vlerë në ndonjë gjykatë të jashtme që do të ofronte një përfundim autoritar. Për mua, historia (ose shkenca) nuk funksionon në atë mënyrë. Të gjitha gjetjet janë të ndërvarura dhe të përkohshme. Ato janë kontribute në një shkëmbim të vazhdueshëm dhe qëllimi i saj përfundimtar nuk është të vijë në një përfundim që do të gdhendet në gur, por të sigurojë material që mund të hapë horizonte dhe perspektiva të reja.

Në Ballkan, përkundër rolit themelor të gazetarëve profesionistë si promovues të demokracisë, mediat shpesh shërbejnë si përforcues të pikëpamjeve më radikale dhe polarizuese nacionaliste në histori. A ka ndonjë mënyrë për të përfshirë mendimin kritik për historinë në rrjedhat kryesore të sferës mediatike?

Zgjidhja ime e imagjinuar është diçka që një grup udhëheqësish rinorë maqedonas e bëri në gjysmën e dytë të viteve 1980 me Forumin Rinor të Filmit, kur ata krijuan mundësinë për të mësuar përmes angazhimit të përbashkët në lidhje me filmin, letërsinë dhe raste të tjera.

Çfarë do të ndodhte nëse, për shembull, historianë dhe gazetarë bullgarë dhe maqedonas do të shikonin së bashku filmin “Rashomon”? Apo do të realizonin një projekt të përbashkët (mbase së bashku edhe me kolegët shqiptarë) mbi aspektet e temave ekonomike, psikologjike dhe sociale të kurbetit? Ose të bëjnë një studim të përbashkët për Projektin 1619 të SHBA-ve?

Besoj se kjo do të rezultojë me një fjalor të përbashkët me të cilin mund të flitet për çështjet e rastësive, paqartësive, traumave dhe dhunës strukturore, që do të shpërndahej jo vetëm në të gjithë rajonin e Ballkanit, por edhe shumë më gjerë.

Ilustrim i sfondit: Photo by Studio Grand Web from Dreamstime / Dreamstime license