Lajmet e rreme po vazhdojnë të shtohen çdo ditë e më shumë në tërë rajonin e Ballkanit. Motivet mund të jenë të ndryshme por kryesisht dominojnë motivet financiare dhe ato politike. Ata që shpërndajnë lajme të rreme mund të kenë objektiv përfitimin financiar derisa gjatë veprimtarisë së tyre mund të përputhen qëllimet me grupe të tjera individësh që synojnë të shpërndajnë dezinformata për qëllime politike. Jemi dëshmitar të lajmeve të shumta të rreme të cilat po sponsorizohen në Facebook në mënyrë që të arrijnë numër sa më të madh njerëzish. Në të njëjtën kohë, në disa dezinformata që po qarkullojnë në Facebook, komentet e qytetarëve tregojnë se shumë prej tyre po bien pre e dezinformatës.
Qasja e Kosovës në internet është më e larta në rajon
Interneti është më së shumti i përhapur në Kosovë. 93% e familjeve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpitë apo banesat e tyre, më shumë se sa mesatarja e Bashkimit Europian. E dyta në këtë renditje nga shtetet e rajonit është Maqedonia e Veriut me 82% kurse në Serbi, 80% e familjeve kanë qasje në internet. Këto statistika i bëjnë lajmet e rreme edhe me më shumë mundësi për të ndikuar për shkak se hapi i parë, që nënkupton qasje në internet, është mjaftueshëm i përhapur në këto shtete. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se shumica e tyre nuk janë të përgatitura për t’i dalluar lajmet e rreme, atëherë kjo vetëm sa e shton probabilitetin për ndikim të lajmit të rremë.
Shpifja dhe propaganda, e në disa raste edhe gjuha e urrejtjes, janë elemente të cilat do të sforcohen edhe më shumë gjatë ditëve e javëve në vijim. Prandaj, është shumë e rëndësishme të tërheqim vëmendjen e publikut që të jetë sa më i vetdijshëm për mundësitë që gjatë ditës t’i ekspozohet në disa raste lajmeve të rreme.
Facebook-u, burimi kryesor i dezinformimit?!
Individ të ndryshëm po shfrytëzojnë faqe në Facebook për të shpërndarë lajme të rreme sepse tashmë e kanë kuptuar se është mënyra më e përshtatshme, më e shpejt dhe më ekonomike për të pasur një burim që i siguron të ardhura. Krahas lajmeve të trilluara, në fushatën e zgjedhjeve të fundit në Kosovë pati edhe formë tjetër të lajmit të rremë, kur lajmit i ndryshohet konteksti kohor dhe paraqitet si aktualitetit. Një lajm i dy apo tri viteve të mëhershme postohet nga këto faqe dhe sponsorizohet duke mashtruar lexuesin sepse ia prezanton informacionin sikur të jetë i tashëm. Përveç që duhet verifikuar autorin e lajmit, burimin e informacionit, qytetarët duhet gjithnjë të kenë kujdes edhe nga mashtrimet e tilla që mund të bëhen duke ndryshuar kontekstin kohor. Prandaj, qytetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm në çkado që lexojnë në internet dhe posaçërisht në rrjete sociale.
Deepfake dhe Shallowfake, dy format e reja të manipulimit
Mënyrat e avancuara të shpërndarjes së lajmeve të rreme tregojnë se një ditë mund të shohim edhe deepfake apo shallowfake. Deepfake është kur publikohet video me përmbajtje të rreme, pra kur paraqitet një person duke thënë diçka që ai në të vërtetë nuk e ka thënë asnjëherë. Shallowfake është një tjetër formë e lajmit të rremë ku përdoret videoja. Për dallim nga deepfake, në këtë formë nuk ka përmbajtje të rreme sepse në fakt është informacion i vërtetë por i manipuluar hollësisht për të dëmtuar dikënd. Te ‘Shallowfakes’ bëhet ndryshimi i shpejtësisë së pamjeve, siç ishte rasti i senatores amerikane, Nancy Pelosi kur videoja ku ajo fliste u ngadalësua duke u portreziuar si e dehur dhe që nuk shqiptonte fjalët siç duhet. Një tjetër rast ishte ai i gazetarit të CNN-it, Acosta, kur videoja ku ai shtronte pyetje në një konferencë shtypi të Presidentit amerikan ishte shpejtuar duke u krijuar përshtypja se ai ishte agresiv ndaj një punonjësi të Shtëpisë së Bardhë. Për t’i bërë këto manipulime nuk kërkohen aftësi të specializuara, derisa për shembull, videoja e Pelosit ishte shkarkuar nga afro 2 milionë njerëz dhe ishte shpërndarë rreth 40 mijë herë vetëm 24 orë pasi ishte publikuar në Facebook.
Nëse ndodh kjo në rajonin tonë, do të jetë edhe më e vështirë nga publiku i cilitdo shtet të rajonit të Ballkanit, që t’i dallojë këto forma të fake news 2.0: deepfake apo shallowfake. Natyrisht, edukimi medial i publikut do të zvogëlonte ndikimin e këtyre formave të mashtrimit. Megjithatë, shpeshtimi i faqeve që shpërndajnë lajme të rreme dhe në forma të ndryshme mëtojnë të manipulojnë me publikun tregon se në rajonin e Ballkanit ekziston një terren i përshtatshëm për t’i shpërndarë dezinformatat të cilat edhe kanë shkallë të lartë të propabilitetit për ta mashtruar audiencën. Mungesa e aftësisë te shoqëria për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale e vë shoqërinë të ç’armatosur përballë dezinformatave. Rrjedhimisht, kjo formë e shpërndarjes së dezinformatave tregon se bëhet fjalë për orvatje të qëllimshme dhe sistematike për mashtrim.
Author: Dren Gerguri
(Autori është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë/Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”)
Ilustrim i sfondit: Photo by McLittle Stock from Shutterstock / Shutterstock license