Roli i medieve sociale në fushatë zgjedhore është në rritje. Partitë politike, çdo herë e më shumë po i kushtojnë rëndësi shfrytëzimit të medieve sociale për të komunikuar me qytetarët. Çdo politikan tashmë bye ka kuptuar që përfshirja në medie sociale nuk është zgjedhje, por është domosdoshmëri. Në politikën kosovare, përshtatja e partive politike me medien sociale ka filluar më 2009. Që nga atëherë, përdorimi i medieve sociale është zgjeruar nga viti në vit. Sot, secila parti politike i përdorë mediet sociale në komunikimin me qytetarët. Për më tepër, komunikimi politik i epokës së sotme digjitale nuk mund të mendohet pa shfrytëzimin e medieve sociale. Madje, në ditët e sotme, pikërisht në media sociale bëhen diskutimet më të shumta për zgjedhje, prandaj gjatë fushatës, politika e ka të pashmangshme të shtrihet jo vetëm në një, por në disa media sociale, si Facebook, Twitter, Instagram, etj.

Mënyra e të bërit fushatë zgjedhore ka kaluar nëpër disa etapa dhe ajo që i ka rezistuar çdo ndryshimi, padyshim është takimi i drejtpërdrejt me qytetarët. Takimet sy më sy të politikanëve me qytetarët janë të pazëvendësueshme dhe këtë e kanë treguar studime të shumta nga studiues të mëdhenj të kësaj fushe, në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, dekada e fundit ka dëshmuar që komunikimi online ka ndikim të madh për të arritur te një numër më i madh njerëzish në pak sekonda. Një mesazh në Facebook që krijon interaktivitet të madh, arrin te njerëz të ndryshëm, pa marrë parasysh hapësirën fizike dhe, në këtë aspekt është një përparësi e madhe në krahasim me takimet fizike.

Media sociale e ka transformuar mënyrën e marrjes dhe të shkëmbimit të informacioneve edhe në shoqërinë tonë. Sot, Facebook-u është një nga burimet kryesore për informim. Rrjedhimisht, secila parti politike dhe secili kandidat për deputet do ta ketë të qartë që në strategjinë e të bërit fushatë duhet medoemos ta përfshijë Facebook-un. Për më tepër, duke marrë parasyshë rëndësinë e ndërkomunikimit me qytetarët, gjegjësisht me zgjedhësit, përdorimi në shkallë të gjerë i medive sociale, kërkon nga politikanët që të jenë më inovativë, jo vetëm në kuptimin e shtrirjes së këtij komunikimi edhe në media tjera, si Instagram e Snapchat.

Gjatë muajit të janarit, në total janë publikuar 1.6K mesazhe nga akterët kryesorë të politikës kosovare. Prej tyre, më së shumti aktive ka qenë partia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 288 mesazhe. Pas AAK-së, renditet Partia Demokratike e Kosovës me 244 mesazhe, ndërkaq, partia e tretë më aktive ishte Lidhja Demokratike e Kosovës me 146 mesazhe. Për herë të parë, që nga fushata e 2010-s, Lëvizja Vetëvendosje është më pak aktive në Facebook, se sa partitë e tjera. Nga liderët, kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti ishte më aktivi me 195 mesazhe, para Enver Hoxhajt të PDK-së, që kishte 143 mesazhe, ndërkaq, Ramush Haradinaj ishte i treti me 140 mesazhe. Edhe në këtë renditje mungon lideri i LVV-së, Albin Kurti, që gjithashtu bën dallim nga mënyrat e të bërit fushatë në zgjedhjet e 2017-s dhe të 2019-s.

Megjithatë, edhe pse më pak aktiv, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë rritur më së shumti rrjetin e tyre virtual në Facebook. Osmani për +12.9K, ndërkaq, Kurti me +11.5K. I treti që ka marrë më shumë përcjellës në faqen e tij gjatë janarit është Enver Hoxhaj, me +6.7K. Nga partitë politike, LVV-ja është e para me +7.9K, para PDK-së që ka rritur faqen për +3.8K. Këta numra tregojnë interesimin e qytetarëve për të përcjellë më shumë politikanët, apo partitë e caktuara politike.

Ndërkohë, sivjet vërehet angazhim edhe më i madh i spektrit politik kosovar për të shfrytëzuar edhe Instagramin për komunikim politik. Gjatë janarit, Enver Hoxhaj ishte më së shumti aktiv me 114 meszhe, tri më shumë se Ramush Haradinaj. Ndërkohë, Albin Kurti kishte vetëm 4 mesazhe gjatë të njëjtës periudhë. Nga partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje ishte më aktivja me 76 mesazhe, ndërkaq, e dyta më aktive ishte PDK-ja, me 60 mesazhe. Këto të dhëna tregojnë mënyrën se si spektri ynë politik po i përdorë mediet sociale gjatë parafushatës zgjedhore.

Kosova ka rreth një milion përdorues të Facebook-ut, që është numër i madh për një vend të vogël. Kjo e bën Facebook-un edhe më atraktiv për spektrin politik kosovar. Prandaj, qytetarët duhet ta kuptojnë se është shumë e rëndësishme mënyra e qasjes në media sociale gjatë kësaj periudhe, sepse, nga shumë faqe të krijuara me emra partish e politikanësh, vetëm ato që kanë shenjën e verifikimit janë zyrtare. Në Facebook, partitë kryesore kosovare dhe liderët politik e institucional, i kanë të verifikuara faqet e tyre zyrtare, për t’u dalluar nga faqet e tjera, jozyrtare, të cilat mund të kenë emërtimin e ngjashëm. Megjithatë, edhe në Republikën e Kosovës janë shënuar raste të keqpërdorimit të emrit të ndonjë politikani, ose të ndonjë subjekti politik. Fjala vjen, rasti i ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjfucës, në vitin e kaluar, kur, publikisht kishte deklaruar se nuk e përdorë Twitter-in fare dhe se, llogaritë në Twitter të hapura me emrin e tij, ishin të rreme. Prandaj, qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe gjithmonë të shohin nëse llogaritë janë të verifikuara, çka u ndihmon që të mos bien pre e ndonjë mashtrimi eventual. Nevoja për të mbajt gjykim kritik ndaj mesazheve të cilave qytetarët u ekspozohen në këto faqe është e domosdoshme dhe, qytetarët duhet të tregojnë kujdes e maturi ndaj çdo informacioni që marrin nga, ose në emër të partive politike, apo nga, ose në emër të politikanëve, jo sall për faktin që, ai informacion nuk është filtruar, p.sh. nga gazetari, nga redaktori, etj., siç ndodhë në mediet tradicionale dhe, ai informacion mund të jetë edhe i vërtetë, por edhe i pavërtetë, ose propagandë.

Situata pandemike do të duhej të rriste përdorimin e medieve sociale gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme, edhe sepse, për të respektuar masat mbrojtëse, politikanët dhe partitë politike do të duhej të shmangnin tubimet partiake dhe të fokusoheshin më shumë në takime e komunikime online me zgjedhësit. Kjo shtron nevojën për përqendrim më të madh në media sociale, prandaj subjektet politike duhet të gjejnë mënyrat për të komunikuar me qytetarin, pa rrezikuar shëndetin! Politikanët duhet të përpiqen të angazhojnë publikun nëpërmjet videove live në media sociale, si dhe me postime në Facebook, apo edhe në Instastory e në Instagram. Një tjetër praktikë e mirë është përdorimi i vazhdueshëm i medieve sociale, sepse, për postim të përditshëm gjatë fushatës, nuk është asnjëherë e vështirë të gjesh arsyen për të ndarë diçka me publikun.

Author: Dren Gërguri - Lecturer

Ilustrim i sfondit: Photo by Ivelinr from Dreamstime / Dreamstime license